Shqipëria

KPA shkarkon gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Tiranës


Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi për të shkarkuar nga detyra gjyqtaren Elbana Lluri.

Lluri ishte gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Tiranës, por nuk ka kaluar procesin e vetting-ut.

Ndonëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e konfirmoi në detyrë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) rekomandoi rihetimin e pasurisë së Llurit, çka çoi edhe në vendimin e sotëm për shkarkimin nga detyra.

“Ankimi do t’i jepte mundësinë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të kryente një hetim të plotë të subjektit, personit të lidhur dhe personave të tjerë të lidhur, çka do të siguronte që ajo gëzon në të vërtetë besimin e publikut, që është në thelb qëllimi i procesit të vetingut dhe i institucioneve që e zbatojnë atë”, theksohej në rekomandimin e ONM-së.

Elbana Lluri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2016, kur u promovua në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore