Shqipëria

KPA lë në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës duke shmangur vendimin e ndërkombëtarëve


Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Gerd Hoxha, u konfirmua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) si pjesë e sistemit të drejtësisë edhe pse Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) e donin jashtë.

Ky vendim i KPA-së nuk është pritur mirë nga vëzhguesit ndërkombëtar, të cilët e konsideruan si hije për imazhin e tyre.

Në deklaratën e Theo Jacobs, vëzhguesi i ONM-së thuhet se “drejtësia është diçka që shërbehet kur vendimi merret mbi fakte, jo kur faktet rregullohen sipas rezultatit të dëshiruar”

“Në emër të vëzhguesve ndërkombëtarë, do të doja të theksoja se ne nuk biem dakord totalisht me këtë vendim, jo vetëm për përmbajtjen ,por gjithashtu dhe për procesin e vendimmarrjes. Jam thellësisht i keqardhur që ky vendim po hedh hije mbi imazhin e fortë që kjo dhomë ishte e aftë të ndërtonte mbi vendime të vështira dhe kurajoze”.

“Reforma në drejtësi, procesi i vetting-ut, kjo dhomë speciale dhe qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë dhe më mirë se ky vendim”, u shpreh Jacobs.

KPA-ja konfirmoi vendimin e shkallës së parë por me një nga anëtarët e saj kundër.

Sipas komisioneres Brunilda Bekteshit, Hoxha nuk justifikonte një hua prej 25 mijë eurosh të marrë nga ish-bashkëshortja e tij Elbana Lluri.

Kjo ishte arsyeja pse ONM kërkoi ankimin e këtij vendimi dhe shkarkimin e gjyqtarit.

Sipas KPA-së, Hoxha nuk përbëntë shkelje, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Elbana Lluri u shkarkua nga detyra e gjyqtares së Apelit Tiranë.

Roli i kufizuar i ndërkombëtarëve në vetting-un e gjyqtarëve na kthen në vitin 2016, kur PD-ja dhe LSI-ja ishin zërat kryesorë kundër tyre.

Pikërisht, asokohe, ish-kryeministri Sali Berisha do dilte hapur kundër kryerjes së procesit të “vettingut” nga ana e ndërkombëtarëve.

Ky qëndrim do të mbështetej fuqishëm dhe nga ish-kryeparlamentarja Topalli dhe do i shkonte për shtat edhe qëndrimeve të LSI-së.

Partia e drejtuar nga Ilir Meta, po mbante dukshëm qëndrime të kundërta me socialistët sa i përkiste reformës në drejtësi.

Roli i ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarët, pavarësisht kundërshtimeve nga politika, kanë një rol thelbësor në mbledhjen dhe vlerësimin e provave, ndërsa janë 3 komponentët e vlerësimit.

Gjyqtarët dhe prokurorët do të vlerësohen për pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale. Dy organet thelbësore që do të japin vendim mbi provat janë  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA).

Ligji parashikon që pas deklarimit, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të bëjnë verifikime në terren, të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, llogarive bankare, brenda dhe jashtë vendit, hyrjet-daljet nga vendi dhe po ashtu verifikim të lidhjeve me persona të tjerë.

Në nenin 42 të projektligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH”, jepen të gjitha provat mbi bazën e të cilave bëhet vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prova e parë është formulari i vetëdeklarimit të pasurisë, ndërsa po ashtu pjesë e hetimit do të jenë llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet dhe të dhënat për hyrje–daljet në kufi.

Me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen, Komisioni ose Kolegji i Apelimit mund të mbledhë deklarata nga subjekti i rivlerësimit, nga dëshmitarët dhe ekspertët. Institucioni mund të marrë dokumente shkresore dhe dokumente të tjera nëpërmjet mjeteve fotografike, të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike dhe të vizitojë apo kontrollojë sende të luajtshme ose të paluajtshme bazuar në vendimin e gjykatës kompetente.

Rol thelbësor në këtë proces kanë ekspertët ndërkombëtarë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore