Lajme

Kovaçevski uron Ditën e Alfabetit Shqip – “Gjuha shqipe është gjuha e vëllait tim”


Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i ka ururar shqiptarët me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip, përkatësisht 114 vjetorin e Kongresit të Manastirit.

“Gjuha shqipe nuk është gjuha ime amtare, por gjuha shqipe është gjuha e vëllait tim”, deklaroi Kovaçevski në manifestimin e sotëm solemn, transmeton mediumi maqedonas ‘Sloboden Pechat’.

Ai theksoi se Kongresi i Manastirit konsiderohet si një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

“Në një javë, mes 14 dhe 22 nëntorit 1908, të gjitha figurat e rëndësishme politike nën kryesinë dhe kryetarin e Kongresit, Mithat Frashëri, rrumbullakosën një nga tiparet më të rëndësishme të identitetit”.

Ndërkaq, për kryekuvendarin Talat Xhaferi, ky është festivali më domethënës në historinë dhe zhvillimin e politikës dhe kulturës shqiptare.

“Alfabeti i njësuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe përhapim gjuhën, kulturën, zakonet, veçoritë dhe traditat tona folklorike dhe më e rëndësishmja, alfabeti me të cilin lufta kombëtare për pavarësi kulturore në nivel botëror, lindi dhe filloi rrugëtimin e tij”.

“Ishte një mbështetje e fortë për identitetin kombëtar dhe pavarësinë politike të popullit shqiptar”, shtoi Xhaferi.

22 nëntori i vitit 1908 do të shënjonte ndoshta “një nga datat më të rëndësishme të kulturës shqiptare”.

Konferenca e mirëfilltë akademike, që do të quhej Kongresi i Manastirit për shkak të vendit ku u zhvillua, do të vendoste për një alfabet standard të gjuhës shqipe.

Kongresi u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e Shoqatës “Bashkimi”.

Në konferencë ishin bërë bashkë figura të shquara të jetës kulturore dhe politike nga trevat e banuara me shqiptarë.

Pesëdhjetë delegatë përfaqësonin njëzet e tre qytete, qyteza dhe shoqata kulturore e patriotike të banuara nga shqiptarët.

Tridhjetë e dy nga pjesëmarrësit kishin të drejtë vote në Kongres dhe tetëmbëdhjetë prej tyre shërbyen si vëzhgues.

Mes figurave sublime, si Gjergj Fishta apo Luigj Gurakuqi, ishte dhe Parashqevi Qiriazi, e cila ishte përgjegjëse për organizimin e propozimeve për alfabetin.

Delegatët do të votonin njëzëri për përdorimin e alfabetit “Bashkimi” si alfabeti standard i shqipes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore