Lajme

Kovaçevski: Ndryshimi i preambulës së Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve – prioritet


Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka deklaruar se ndryshimi i preambulës së Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve si shtetformues në të, është prioritet.

Çdo gjë tjetër, përfshirë edhe heqjen e termit 20% për shqiptarët duhet të dalë nga shqyrtimi publik i amendamenteve me ndihmën e ekspertëve.

“Prioritet në Kushtetutë ka plotësimi i kushtit tonë nga korniza negociuese e cila është miratuar nga 27 vende anëtare të BE-së. Ajo kornizës i referohet ndryshimeve kushtetuese për pakicat që jetojnë ne vendin tonë. Kjo ka prioritet”, ka deklaruar kryeministri Kovaçevski para gazetarëve.

Procesi i ndryshimeve, vlerëson kryeministri, fillon me formimin e komisionit i cili duhet të ketë edhe pjesëmarrjen e opozitës.

“Procesi i ndryshimeve kushtetuese do të fillojë duke e formuar komisionin në të cilin janë ftuar edhe opozita. Përfundimisht opozita duhet të merr pjesë të paktën në një proces të rëndësishëm strategjik”, u shpreh Kovaçevski.

Opozita në Kuvend gjatë një debati i kërkoi shumicës parlamentare dhe kryeministrit që në rast se i ka votat për ndryshime kushtetuese, ta nisë procedurën. Ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga deklaroi se në kuadër të hapjes së kushtetutës do të diskutohet edhe për heqjen e 20%, përcaktimin e pranim-dorëzimit të detyrave në ekzekutiv, thirrjen dhe shpërndarjen e Kuvendit në rrethana të pazakonta.

Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut

Më 19 korrik të vitit të kaluar Maqedonia e Veriut, filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor të vitit 2022. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore