Lajme

Kovaçevski mirëpret në Ohër mysafirët për “Ballkanin e Hapur”


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka bërë të ditur se ka mirëpritur udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për samitin “Ballkani i Hapur”.

“Mirëprita miqtë e mi të dashur, udhëheqës nga Ballkani Perëndimor në Ohrin tonë të bukur. Ne e fillojmë samitin në një atmosferë miqësore dhe joformale”, ka shkruar ai në Facebook.

Kovaçesvski në vilën e presidencës në Ohër do të darkojë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në hapjen zyrtare të samitit të mërkurën, përveç liderëve ballkanas, do të flasin edhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç është paralajmëruar, në Ohër do të nënshkruhet Marrëveshja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe vlerësimeve shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera dhe një Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Gjithashtu, do të nënshkruhet një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor dhe një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Qëllimi i nismës, siç është thënë nga nismëtarët e saj, është lehtësimi i jetës së qytetarëve të shteteve përkatëse dhe të përmirësimi i standardeve të jetesës.

Në samitin e Tiranës, në dhjetor 2021, u nënshkruan deri tani numri më i madh i dokumenteve për bashkëpunimin mes të tre vendeve.

Rama, Vuçiç dhe Zaev nënshkruan Marrëveshjen për Qasje të Lirë në tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor, e cila mundëson futjen e një leje të vetme pune për të tre vendet dhe Marrëveshjen për lidhjen e sistemit elektronik të identifikimit të qytetarëve të Ballkanit të Hapur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore