Lajme

Kovaçevski: BE nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor


Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se Bashkimi Evropian s’mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor pjesë të familjes evropiane.

Ai në një intervistë për BBC-në, theksoi se situata gjeostrategjike e Evropës pas pushtimit të Ukrainës e ka konfirmuar një gjë të tillë.

“Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, pa Maqedoninë e Veriut, pa Shqipërinë, pa Malin e Zi dhe të gjitha vendet e tjera. Dhe ky është realiteti”, ka vlerësuar ai.

Kovaçevski ka komentuar edhe problemet me të cilat vazhdon të përballet rajoni pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

“Në Ballkan ka shumë, siç i quaj unë, çështje identitare. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, i gjithë rajoni, çfarë ka ndodhur në tridhjetë vitet e fundit, pas shpërbërjes së Jugosllavisë”.

Sipas të parit të qeverisë, maqedonasit kanë marrë vendimin më të dhimbshëm në krahasim me vendet tjera që janë integruar në BE apo presin të integrohen një ditë.

“Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e identitetit. Ne e morëm atë vendim të vështirë, keni të drejtë, ne ndryshuam emrin e vendit për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe për të përparuar në rrugën e integrimit evropian. Arritëm marrëveshje edhe me fqinjët tanë, me Bullgarinë, dhe ky ishte gjithashtu një vendim i vështirë”.

Gjithashtu, ai pohoi se Maqedonia e Veriut mbetet një vend shumë i varur nga gazi rus dhe aktualisht është duke punuar në projektet infrastrukturore për diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji.

“Ka vende që janë plotësisht të varura nga gazi rus, ka vende që varen pjesërisht nga gazi rus dhe ka vende që nuk varen fare prej tij. Ne jemi një vend që jemi plotësisht të varur nga gazi rus dhe ka vite që po kthehet prapa, për shkak të gjendjes së ekonomisë, për shkak të marrëdhënieve në të kaluarën”, u shpreh Kovaçevski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore