Teknologji

Kostumi hapësinor, një anije kozmike më vete


Gjatë eksplorimit të hapësirës, për t’u mbrojtur nga kushtet e ftohta të kozmosit, astronautët duhet të veshin kostume hapësinore të teknologjisë së lartë

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se filmat e Hollywood-it e kanë kthyer në joshës kostumin ikonik. Madje, dizajni i këtij kostumi i bën masat të besojnë se është një veshje që mund të rrëshqasë brenda disa minutash.

Cathleen Lewis, kuratore e programeve hapësinore ndërkombëtare dhe kostumeve hapësinore në Muzeun Kombëtar të Ajrit dhe Hapësirës së Institucionit Smithsonian, ka treguar se veshja kozmike është anija e saj plotësisht funksionuese që kërkon orë të tëra për t’u veshur dhe kërkon ndihmë nga kolegët.

“Qëllimi i kostumit hapësinor është të ekzistojë në thelb si një anije kozmike në formë njeriu që lejon qenien njerëzore të eksplorojë në mënyrë autonome dhe të bëjë punë kuptimplote jashtë komoditetit të anijes kozmike ose stacionit hapësinor”, ka thënë Lewis.

Lewis ka zbuluar se mund të duhen deri në katër orë që një astronaut të përshtatet. Para se të shkojnë në një shëtitje hapësinore, astronautët duhet të kontrollojnë secilën pajisje dhe të sigurohen se kanë furnizime të mjaftueshme kritike, të tilla si oksigjeni dhe uji.

Nga ana tjetër, një ekip tokësor në Tokë mbështet astronautët gjatë gjithë procesit të ecjes hapësinore.

Sarah Korona, kontrolluese e fluturimit EVA në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s në Houston ka sqaruar se kontrollorët e fluturimit ndjekin një plan të procedurës, i cili është rreth 30 faqe i gjatë, por që ka edhe plane të tjera nëse lindin probleme.

Anatomia e një kostumi hapësinor

Sipas NASA-s, një kostum hapësinor përbëhet nga gati gjysmë duzinë përbërësish të ndryshëm dhe mund të ketë deri në 16 shtresa,

Në misionet Artemis, programi i ardhshëm i NASA-s për të dërguar gruan e parë dhe personin e parë me ngjyrë në hënë, astronautët do të veshin kostumin e fundit hapësinor, të quajtur njësia e lëvizshmërisë ekstravehikulare të eksplorimit, e njohur gjithashtu si xEMU.

Dhe para se veshjet kozmike të arrijnë në Hënë, pjesë të tyre do të testohen në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Richard Rhodes, zëvendësdrejtues për zhvillimin e veshjeve me presion xEMU në NASA, ka treguar se një nga komponentët kryesorë është veshja ftohëse. Kjo veshje është e përbërë nga tuba që qarkullojnë ujë përreth astronautit, duke rregulluar temperaturën e trupit dhe duke hequr nxehtësinë e tepërt teksa përfundojnë punën e tyre.

Sipas NASA-s, çdo kostum hapësinor ka një sistem të lëvizshëm mbështetës të jetës, i cili përfshin një rezervuar uji për veshjen ftohëse, sistemin e heqjes së dioksidit të karbonit dhe shumë të tjera. Gjithashtu ky komponent përfshin një sistem radiofonik në të dy drejtimet, në mënyrë që astronautët të mund të komunikojnë.

Krahasuar me ato të tanishmet, kostumet hapësinore origjinale të përdorura gjatë misioneve Apollo ishin më pak fleksibile.

“Kur astronautët e Apollo-s ecën në hënë, ata nuk mund të përkuleshin dhe të merrnin një gur”, ka thënë astronauti i NASA-s, Mike Fincke duke shtuar se “ata duhej të kishin një mjet të vogël të veçantë me një dorezë mbi të”.

Mirëpo, që prej asaj kohe, kostumet hapësinore kanë bërë një rrugë të gjatë dhe kanë një strukturë më fleksible me doreza.

Lewis ka theksuar se dorezat janë një nga pjesët më të komplikuara të kostumit hapësinor dhe se ato janë shpesh burimi më i madh i ankesave që astronautët kanë për kostumet e tyre.

“Dorezat janë shumë të vështira për t’u hartuar që të jenë mbrojtëse dhe gjithashtu të lejojnë shkathtësinë manuale që astronautët duhet të bëjnë një punë kuptimplotë”, ka vënë në dukje ajo.

Lewis ka vijuar se dorezat nën presion mund të ndjehen të ngushtuara, veçanërisht pas orësh pune në hapësirë dhe se gishtat e tyre ftohen, kështu që elementët e ngrohjes duhet të futen në doreza.

Ajo ka shpjeguar se kur astronautët stërviten për të shkuar në hapësirë, një nga ushtrimet e tyre trajnuese përfshin marrjen e një monedhe në kostumin e tyre hapësinor teksa ndodhen nën ujë. Kjo pasi eksploruesit kanë nevojë për shkathtësi ekstreme kur punojnë në hapësirë dhe dorezat janë një sfidë e shtuar për ta.

CNN shkruan se pjesa më e madhe e trajnimit të një astronauti për veshjen e hapësirës është në një pishinë në Laboratorin Neutral Buoyancy të NASA-s në Houston. Kjo pasi uji simulon ndjenjën e mungesës së peshës çka është e ngjashme me atë se si ndihet në hapësirë.

Lewis ka treguar se gjatë viteve, shkencëtarët kanë eksperimentuar me materiale të ndryshme dhe kanë pasur shkallë të ndryshme të suksesit. Madje, një herë studiuesit eksperimentuan me majat e gishtave Kevlar në doreza.

“Kevlar-i është shumë i mirë në ndalimin e plumbave, por jo shumë i mirë në ndalimin e thikave, pritet lehtë”, ka vijuar ajo.

Gjithashtu ka shtuar se aktualisht astronautët përdorin doreza plastike sintetike, por shkencëtarët gjithmonë kërkojnë mundësi më të mira.

E veçanta dallohet edhe në pjesën e jashtme të një kostumi hapësinor. Ai ka vija me ngjyra unike për secilin kostum. Kjo është mënyra se si astronautët mund të tregojnë se kush është me secilin kostum kur janë në hapësirë, ka thënë Lewis.

Ndërkohë, Rhodes ka konfirmuar se ky sistem i provuar dhe i vërtetë do të përdoret për veshjet kozmike të Artemis-it.

Krijimi i veshjeve hapësinore Artemis

Rhodes ka sqaruar se hapi i parë në hartimin e një kostumi hapësinor është “të kuptosh se për kë po e modelon kostumin, çfarë dëshiron që ata të jenë në gjendje të bëjnë dhe ku dëshiron që ata të jenë në gjendje ta bëjnë atë”.

CNN shkruan se për programin Artemis, NASA ka nevojë që astronautët të jenë në gjendje të eksplorojnë në mënyrë të sigurt sipërfaqen e hënës.

Ai ka vijuar se NASA gjatë katër viteve të fundit, ka investuar mbi 300 milionë dollarë në zhvillimin e xEMU-së dhe se ekipi i tij ka testuar dhjetëra përbërës dhe ka peshuar përparësitë dhe disavantazhet e secilit opsion.

Sfida më e madhe për kostumet Artemis sipas tij, është sigurimi që ato janë të optimizuara për eksplorim hënor.

Rhodes ka theksuar se kostumet duhet të jenë “mjaft të lehta për të mbështetur misionin hënor dhe mjaft të fuqishme për të mbrojtur astronautin teksa punon në një mjedis hënor shumë të rrezikshëm.

Gjithashtu ka shtuar se ka mijëra pjesë që bëhen për të bërë veshjet hapësinore të Artemis-it dhe se ato janë me burim nga gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa pjesë mund të duhen deri në një vit për t’u ndërtuar, por NASA po punon për të shkurtuar kohëzgjatjen, ka vijuar ai.

Rhodes ka ravijëzuar se kostumet hapësinore do të marrin disa azhurnime për misionin e fundit hënor. Dhe se njësitë e lëvizshmërisë ekstravehikulare, aktuale dhe të kaluara, termi teknik për kostumet hapësinore të NASA-s, lejojnë lëvizjen minimale të belit, ijeve ose kaviljeve.

Ai e ka përmbyllur shpjegimin e tij duke thënë se astronautët në misionin Artemis duhet të kenë më shumë lëvizshmëri në mënyrë që ata të mund të eksplorojnë terrenin e ashpër të hënës, prandaj ekipi i tij po punon për një kostum që do të lejojë më shumë lëvizje teksa është akoma mjaft i fortë për të mbrojtur përdoruesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore