Lajme

KOSTT reagon pasi Gjykata e Apelit s’e lejoi rritjen e çmimit të rrymës: Nëse kthehen tarifat e lira, kthehen reduktimet


Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu KOSTT ka thënë se do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike dhe do të ketë kthim të reduktimeve, në rast se në vend kthehen tarifat e lira të energjisë, pasi Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores me të cilin ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

“KOSTT ngre zërin për pamundësinë e mbulimit të kostove të shkaktuara dhe atyre që pritet të ndodhin në qoftë se nuk ndërmerren masa të shpejta për të adresuar çështjen e kostove të sektorit qoftë përmes rritjes se tarifave apo subvencionimit. Nëse nuk ndodhin këto veprime atëherë do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike në vend, do të aplikohet masa për reduktimin e konsumit  si dhe rrezikohet seriozisht Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO”, thuhet në njofitimin e KOSTT-it

Sipas KOSTT, rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e krizës globale të energjisë dhe ka prekur të gjitha vendet evropiane, prandaj është i domosdoshëm reflektimi i kësaj kosto-je në të hyra shtesë.

“Kriza globale energjetike e cila u karakterizua me rritje të jashtëzakonshme të çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare, pashmangshmërisht u reflektua edhe në Republikën e Kosovës sidomos në periudhën e stinës së dimrit kur konsumi i energjisë elektrike arriti në vlerat më të larta dhe ndikoi edhe në rritjen e importit të energjisë elektrike”.

“Për të përmbushur përgjegjësitë për krijimin e kushteve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe operimin e sigurt dhe të besueshëm të sistemit të transmetimit përveç tjerash, KOSTT sikurse të gjitha kompanitë e tjera të rregulluara të sektorit të energjisë siguron operimin nga të hyrat e lejuara maksimale sipas aprovimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë”.

Po ashtu në këtë njoftim thuhet se si rrjedhojë e çmimeve enorme të importit të energjisë elektrike dhe të hyrave jo adekuate për mbulimin e kostove, deri më tani janë shkaktuar devijime të theksuara ndaj Sistemit Elektroenergjetik të Evropës Kontinentale të cilat kanë kosto, si dhe janë shkaktuar borxhe të ndërsjellta në mes të kompanive në sektorin e energjisë.

“Devijimet e mëdha ndaj sistemit interkonektiv nuk janë në përputhje me Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe paraqesin obligime financiare shtesë për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese.Situata e krijuar nga kriza energjetike globalisht ka nxitur ndërmarrjen e masave proaktive përmes mekanizmave të formave të ndryshme qoftë përmes përshtatjeve tarifore apo subvencionimeve  të ndryshme të sektorit të energjisë në botë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore