Lajme

KOSTT për tre muaj ka paguar 10 milionë euro për rrymën në Veri


Jeton Mehmeti, Kryesuesi i Bordit të KOSTT duke raportuar në komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

Kryesuesi i Bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, (KOSTT), Jeton Mehmeti në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka treguar se janë pagur 10 milionë euro për rrymën e shpenzuar në pjesën veriore të Kosovës.

“Janë paguar dy milionë euro për muajin shtator, pesë milionë euro për muajin tetor dhe tre milionë euro për muajin nëntor”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij pagesa e përgjithshme për rrymën e shpenzuar në Veri të Kosovës kapë shifrën e mbi 27 milionë eurove.

Këto shpenzime sipas Mehmetit janë shtuar për shkak të rritjes së konsumit dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Në anën tjetër Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se është çështje javësh kur Qeveria e Kosovës do të rregullojë problemin e pagesave të faturave për banorët e pjesës veriore të Mitrovicës.

 

Mimoza Kusari Lila

“Për ne është shumë e rëndësishme që kjo qeveri qe nëntë muaj është duke u marrë intensivisht dhe është çështje javësh që të merret vendim që edhe banori i pjesës veriore të Mitrovicës të paguaj rrymën”, ka thënë Kusari-Lila.

Në anën tjetër kryetari i këtij Komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala duke komentuar këto shuma të larta për mbulimin e humbjeve në Veri, ka thënë se Qeveria është dashur t’i zbatoj rekomandimet e kuvendit për gjetjen e një zgjidhje për gjashtë muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore