Shqipëria

Kostoja e lirë e udhëtimeve po kthehet në “makth” – Ku qëndron problemi?


Të presësh tri, apo më shumë orë në aeroport për t’u nisur drejt destinacionit të planifikuar është “e lodhshme”, por normale për kompaninë e fluturimeve “Wizz Air”.

Kjo është panorama e javëve të fundit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ku qindrave pasagjerëve, çmimet e lira po u kthehen në “makth”.

Interesimit të Albanian Post për gjithë situatën e krijuar, i janë përgjigjur dy qytetare shqiptare, të cilat kanë folur për eksperiencën e tyre me këtë kompani.

Njëri rast nuk i ngjan tjetrit

Mbërritja në shtetin fqinj, Itali, nuk rezultoi “e suksesshme” për shtetasen shqiptare M. Zefi, e cila kërkon t’i ruhet anonimati, por kthimi “po”.

Asaj nuk i kishte shkuar asnjë njoftim se fluturimi drejt Italisë i ishte shtyrë.

Kështu, ajo rrëfeu për gjithë sfilitjen që iu desh të kalonte për tri orë pritjeje në Aeroportin e Nënë Tereza.

“Unë qëllova me ‘fat’, sepse kishte nga ata që po prisnin edhe më shumë”, tha ajo për AP-në, duke shtuar se, “stresi ishte tepër i lartë”.

Nga ana tjetër, pasagjere Xh. Shyti flet për “korrektesën e kompanisë”.

“Mami shkoi tek agjencia turistike për të bërë check-in disa ditë para. Aty e patën njoftuar se nisja drejt Bologna-s ishte afruar”, tha ajo.

Sipas saj, kjo nuk është normale, pasi të të vonohet fluturimi është diçka, që edhe “mund të pranohet”, por “të të afrohet?!”.

Ajo theksoi se, nëse nuk do ta kishin njoftuar, do ta kishte humbur fluturimin.

“Fluturimi ishte për të premten në orën 19:40 dhe e kishin afruar në 14:55 – pa lajmëruar njeri dhe pa dërguar një e-mail më së paku”, vijoi Shyti.

Ku qëndron ngërçi?

Albanian Post tentoi të kuptonte se ku qëndron ngërçi i vonesave, shtyrjeve të fluturimit, apo anulimeve.

Një stjuard, i punësuar pranë kompanisë “Wizz Air” – pranoi të fliste vetëm në kushte anonimati – tha se një ndër arsyet për sa më sipër vjen prej pronotimeve drejt Italisë, të cilat janë shumë “të larta”.

Sipas tij, problematikat më të theksuara vihen re te linjat ajrore Shqipëri-Itali dhe anasjelltas.

Shpesh pasagjerët vonojnë teksa akomodohen, duke “krijuar kaos brenda avionit”.

“Pasagjerët vijnë edhe rrinë shumë kohë, duke parë se në cilin rresht janë”, tha stjuard, i cili shtoi se, “ata vonohen për të vendosur valixhet në kabinë – të paktën 10-15 minuta i ka këto vonesa çdo sektor ”.

Përveç kësaj problematike, vijoi ai arsyetimin, ka shumë fluturime, të cilat nuk janë “full flight”.

Këtë të fundit e lidhi me faktin se avionët nuk janë plot për disa shtete të ndryshme dhe “full” për Italinë.

Kjo krijon edhe vakumin, apo mungesën e avionëve shpeshherë, sipas tij.

Vonesat nga shkaqe më të ndryshmet…

Ndër të tjera, stjuardi ka listuar edhe disa “arsye” përse ndodhin vonesat.

“Krijohen vonesa edhe për shkak të shkallëve për të zbritur njerëzit”.

Kjo e fundit jo për fajin e pasagjerëve, siç la të kuptohej ai, por se, “personat e autorizuar për të sjellë shkallët vonojnë. Madje, ka raste që nuk i vendosin si duhet”.

“Në raste shumë të rralla ka ndodhur dhe ndonjëherë që ka pasur probleme me kondicionerin”, këtu ai përmendi rastin që ka ndodhur para ca ditësh, ku në mediat sociale pasagjerët publikuan video që shihej kaosi i krijuar brenda avionit.

Në përfundim, ai theksoi sërish se kjo e fundit ka ndodhur në raste “shumë shumë të rralla dhe, në këtë mënyrë, pasagjerët zbresin nga avioni, dhe kjo shkakton vonesa për fluturimet e tjera që vijnë më pas”.

Edhe në një artikull të Deutsche Welle, vonesat në shumë aeroporte, lidheshin kryesisht me ngarkesën dhe stafin e mangët, mirëpo sipas verifikimeve në skedulin e fluturimeve të Rinasit, nisje-mbërritje, rezulton se ajo që ndodh me Wizz Air, nuk ndodh me kompanitë e tjera të cilat nuk kanë vonesa apo anulime fluturimesh.

Operimi i kompanisë Wizz Air në Shqipëri

Kjo kompani nisi operimin për destinacionet dhe për nga Shqipëria më 1 maj të këtij viti.

Do të ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila më 9 shkurt do të njoftonte një nga vendimet e mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

“Kompania Wizz Air dhe disa të tjera”, tha ajo, “janë angazhuar që, duke nisur nga data 1 maj të rrisin numrin e fluturimeve në javë”.

Balluku asokohe njoftoi se Shqipëria, tre vitet e fundit ka bërë hapa të mëdhenj në fushën e aviacionit, duke nisur me ndërtimin dhe hapjen e aeroportit të dytë në Kukës, i cili tani është funksional.

Sipas saj, VKM-ja do t’i jepte mundësi Autoritetit të Aviacionit Civil që të ndiqte nga afër të gjithë operatorët që ofrojnë shërbimet e aviacionit civil.

Kujtojmë se kufizimet e COVID-19 tashmë janë hequr totalisht nga shtetet. Ndoshta kjo ka sjellë një fluks shumë të lartë turistësh dhe pasagjerësh, të cilët pas dy vitesh të bllokuar duket që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit.

Pritet nëse – siç parashikon dhe ligji – do të ketë reagim nga Aviacioni Civil i vendit tonë për të ndërhyrë në këtë “makth”, që ka kapluar qytetarët, që po pronotojnë fluturimet dhe ata që kanë “frikë” ta ndërmarrin një hap të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore