Lajme

Kosovë: Vërshime në disa qytete nga reshjet e mëdha të shiut (VIDEO)


Reshjet e mëdha dhe pandërprerje kanë shkaktuar vërshime në shumë qytetet të Kosovës.

Zonat më të prekura janë disa lokalitete në Pejë, Mitrovicë dhe Drenas.

Në disa fshatra të Pejës niveli i ujit është rritur shumë dhe ka kaluar rrethojat e oborreve të disa shtëpive.

Flamur Berisha, një qytetar nga Çallapeku, fshat në komunën e Pejës, ka thënë për Albanian Post se nëse vazhdojnë me këtë intensitet reshjet, uji do t’ua vërshojë edhe shtëpitë.

“Ndjehemi të rrezikuar, pasi kemi frikë se mos na vërshohen shtëpitë”, ka thënë Berisha.

Reshjet e mëdha kanë shkaktuar vërshime edhe në komunat e Mitrovicës dhe Drenasit.

Komuna e qendrore e Kosovës, Drenasi, ka njoftuar të enjten se në lokalitete të ndryshme kanë nisur vërshimet dhe disa rrugë janë bërë gati të pakalueshme.

Përmes një postimi ky institucion ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes, teksa ka lënë edhe një numër kontakti për raste emergjente.

“Rruga Drenas-Dobroshec, përkatësisht te ‘Guri i Plakës’, është̈ thuajse e pakalueshme me tendenca të mbylljes. Ndërsa, edhe në Shtrubullovë, thuhet në postimin e Komunës së Drenasit në Facebook.

Edhe në fshatin Kushtovë të Mitrovicës, shiu i madh ka shkaktuar telashe për banorët e kësaj ane.

Ditë më parë Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime në shumë vende.

Në fakt, shumë komuna në Kosovë javë më parë janë prekur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore