Lajme

Kosovë: Vdes një 20 vjeçare nga COVID-19


Ilustrim

Një 20-vjeçare me inicialet H.R. nga Gjakova ka vdekur të shtunën në mëngjes në QKUK si pasojë e COVID-19, ajo tash e katër ditë ishte duke u trajtuar në mjekim intensiv në Qendrën Klinike Universitare.

Familja e 20-vjeçares kishin humbur ditë më parë pikërisht edhe kryefamiljarin, babain e 20-vjeçares nga COVID-19.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar anesteziologe Agreta Gecaj-Gashi në Klinikën Intensive, të Coronavirusit.

“Ajo ka ndërruar jetë në Intensiven COVID. Ishte duke u trajtuar tash e katër ditë. Babai i saj në bazë të informacioneve që kemi ne, ka qenë i shtrirë në Gjakovë dhe ka vdekur disa ditë më herët”, u shpreh ajo.

Gecaj-Gashi theksoi se 20-vjeçarja nga Gjakova nuk ka qenë e vaksinuar.

Po ashtu, njoftimin për vdekjen e 20 vjeçares e kanë bërë të ditur edhe familjar të saj përmes rrjeteve sociale, ku kanë njoftuar se varrimi i saj do të bëhet të shtunën.

Varianti Delta i COVID-19 është duke i prekur më së shumti moshat e reja.

Thirrje për vaksinim po bëhen vazhdimisht, ndërkaq më së shumti po raportohet se janë duke u infektuar moshat nga 20 deri në 29 vjeç.

Gjendja me COVID-19 në spitalet e përgjithshme në Kosovë

Në klinikat COVID dhe në spitalet e përgjithshme e përgjithshme janë të shtrirë 1 mijë e 165 pacientë.

Nga 1 mijë e 165 të konfirmuar më COVID janë 1 mijë e 77 pacientë, me oksigjeno-terapi janë 944 pacientë, ndërsa në kujdes intensiv janë 63.

Në QKUK, janë 403 pacientë të shtrirë, 394 prej tyre janë me COVID-19 pozitivë, 323 me oksigjeno-terapi.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë 

Ministria e Shëndetësisë, njoftoi më 27 gusht se 16 persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 2 mijë e 98 raste të reja me Coronavirus.

Numri i të infektuarve vjen nga 12 mijë e 564 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 614 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 25 mijë e 407.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vetëm brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar kundër COVID-19, 16 mijë e 862 persona.

Në Kosovë, deri më tani, janë dhënë mbi 780 mijë 000 vaksina kundër Coronavirusit, ndërsa me dy doza janë vaksinuar mbi 260 mijë e qytetarë.

Fushata e imunizimit në Kosovë është ndarë në tri faza. Në të parën u është dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Nga mesi i majit është zhvilluar faza e dytë, që ka përfshirë personat e moshës 65 deri në 79 vjeç, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore