Kosova

Kosovë: Vaksinohen 4300 persona, të mërkurën vendoset dita për vaksinimin e të moshuarve


Në Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ende është duke vazhduar procesi i vaksinimit të personelit shëndetësor dhe stafit mjekësor të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Që nga fillimi i vaksinimit e deri tani janë vaksinuar rreth katër mijë e 300 persona.

Kështu ka thënë para mediave koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi, i cili ka deklaruar se procesi i imunizimit në Kosovë është duke vazhduar pa probleme dhe se gjatë ditës së mërkurë do të vendoset se kur do të nisë vaksinimi i të moshuarve.

“Aktualisht deri më tani gjatë ditës së sotme janë vaksinuar 95 persona, por nëse i referohemi numrit total të të vaksinuarve kemi rreth 4300 persona. Sa i përket çështjes së vaksinimit të të moshuarve sot do të jeni të informuar se si do të veprohet tutje”, ka thënë Bardhi.

Në mënyrë që të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi moshën 80 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike, Bardhi theksoi se “do të angazhojmë edhe ekip mobil për vaksinim”.

Ai tutje ka treguar se në këtë qendër vaksinimi nuk janë ballafaquar me numër të madh të personave që presin për vaksinim, por po ashtu ka thënë se kanë kapacitet që brenda ditës t’i imunizojnë deri në një mijë persona.

“Jemi të përgatitur për të vaksinuar nga 750 persona e tutje dhe mund t’i kryejmë deri në një mijë raste brenda ditës, meqë fluksi nuk ka qenë shumë i madh, kemi komoditet në këtë pjesë dhe pa asnjë problem do e menaxhojmë”, shtoi Bardhi.

Ndërkohë ai ka deklaruar se nga ajo që është parë deri më tani nuk kanë pasur ndonjë shqetësim apo reagim nga marrja e dozës së parë.

Krahas vaksinimit në sallën “1 Tetori”, personeli shëndetësor është duke u vaksinuar edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur të hënën më 29 mars, ndërsa një ditë më parë, më 28 mars në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër Coronavirusit, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore