Lajme

Kosovë: U ndërpriten kontratat 360 infermierëve që punuan në pandemi


Infermieret gjatë protestës para Klinikës Infektive

360 infermierë që ishin punësuar për shkak të pandemisë kanë protestuar para Klinikës Infektive, për shkak se nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

MSH-ja vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave COVID.

Gjatë kësaj proteste infermierja Arlinda Hadri, tha se nuk ka qenë e drejtë që të mos u vazhdohen kontratat.

“Nuk kemi marrë shtesa asnjëherë duke pasur parasysh se kjo ishte një situatë e vështirë dhe kurrë nuk ju kemi bërë presion, ne nuk kërkojmë asgjë përveç vazhdimit të kontratave ashtu siç patën nevojë për neve”.

Ajo shton se “Na erdh një e-mail që nuk ka fonde për me ju vazhduar kontrata. 422 infermierë të rinjtë janë punësuar e si ka mundësi që për ata pat fonde e për neve jo, qysh munden me na siguruar që kanë me na punësuar. Nuk mu ka dok mënyra e drejtë e lajmërimit”, tha ajo.

Ndërsa deklaroi se me këto paga kanë ushqyer familjarët e tyre, duke shtuar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.

Kurse Fitim Havolli, nga Sindikata e Infermierëve tha se ka dalë në përkrahje të këtyre infermierëve pasi sipas tij, është e padrejtë ajo që po u bëhet këtyre punëtorëve shëndetësorë.

“Këta kanë qenë një ndihmë e madhe për të gjithë klinikat sidomos me gjendjen pandemie, këta në moshë shumë të re qëndruan afër dhe na ndihmuan”, tha Havolli.

Në këtë protestë u.d i drejtorit të Klinikës Infektive Arben Vishaj, shkurtimisht u tha infermierëve që të mos bien pre e interesave personale, por që të mbrojnë drejtat e tyre, pasi sipas tij, puna e tyre ka qenë e shenjtë dhe shumë me vlerë.

Ministria e Shëndetësisë (MSH) përmes një komunikate për media thotë se nuk ka bërë ndërprerjen e kontratave të infermierëve, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur.

“MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim”.

MSH thekson se ” situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së”.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, kurse ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore