Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Të shtunën përmbyllet procesi i rinumërimit të votave nga diaspora


Të shtunën pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të votave nga diaspora, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi në një konferencë për medie.

“Dy aktivitetet që po zhvillohen këtu është rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës, mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë”, tha ai.

Nga 43 mijë e 500 pako me fletëvotime nga diaspora, aprovohen rreth 48 mijë zarfe me fletëvotime dhe janë refuzuar rreth 18 mijë.

“Nga puna e deritashme nga ky shërbim janë hapur 41 mijë e 236 pako të supozuara me fletëvotime prej nga kemi të aprovuara 48 mijë e 728 zarfe me fletëvotime dhe 18 mijë e 876 zarfe të refuzuara”, tha Elezi.

Ai ka shpjeguar se arsyet e mos aprovimit të këtyre fletëvotimeve janë të ndryshme të cilat janë bërë të ditura edhe më parë.

“Tetë mijë e 417 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjashtë mijë e 113 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, një mijë e 268 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, dy mijë e 249 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar dhe 829 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jo valide për identifikim”, tha Elezi.

Tutje ai ka treguar se nga 552 vendvotimeve janë rinumëruar votat e 377 prej tyre apo 70 për qind.

“Deri më tani janë rinumëruar rreth 70% apo 377 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre pas vendimit të fundit të KQZ-së.  Shërbimi votues i KQZ-së është në përfundim e sipër të vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga 2 – 12 shkurt”, tha Elezi.

Po ashtu Elezi ka treguar se KQZ është duke vazhduar me përmbushjen e detyrimeve ligjore me qëllim të përmbylljes së procesit zgjedhor.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore