Lajme

Kosovë: Të premten fillon vaksinimi për personat e moshës 75-79 vjeçare


Nga data 16 prill, të gjithë personat nga mosha 75 deri 79 vjet, me sëmundje kronike, do të kenë mundësi të vaksinohen.

Këtë njoftim e ka dhënë komiteti për vaksinim kundër COVID-19.

“Duke filluar nga data 16 prill, për disa ditë me radhë, në Prishtinë dhe në të gjitha komunat, do të fillojë vaksinimi i personave të moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike, të dëshmuar me raport mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij njoftimi, numri i personave që do të vaksinohen nga kategoria e të prekurve nga sëmundjet kronike brenda grup-moshës 75-79, varet nga numri i dozave të vaksinës kundër COVID-19 në dispozicion.

Tutje në njoftim thuhet se procesi i vaksinimit është duke vazhduar ende për personat me hemodializë.

Gjithashtu, krahas vaksinimit të pacientëve të hemodializës, gjatë kësaj kohe procesi i vaksinimit është i hapur edhe më tej për profesionistët shëndetësor si dhe për personat mbi moshën 80 vjeçare.

Ky proces është duke u zhvilluar në qendrën e vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ndërsa në komunat e tjera, procesi mbahet në njësitë e vaksinimit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ndërkohë, një javë më parë, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media ka thënë se pritet që në fund të prillit ose në fillim të majit do të vijnë edhe dozat e tjera, saktësisht kontingjenti i dytë i vaksinave.

“Kontingjenti i dytë i këtij grupi pritet të vij nga fundi i muajit prill ose nga fillimi i muajit maj, këto janë së paku fjalët që kemi nga kompania, COVAX. Ndërsa për dozën e dytë është qershori. Jemi në kohë”, pati thënë Vitia.

Të hënën e 28 marsit, në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër Coronavirusit, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore