Lajme

Kosovë: Të hënën rifillon procesi mësimor, komunat të gatshme edhe për mësimin online


Të hënën fillon periudha e tretë e vitit shkollor në Kosovë, ku për shkak të pandemisë COVID-19, vetëm nxënësit e klasave nga 1 deri në 5 do të rikthehen në bankat e shkollës ndërsa nxënësit nga klasa 6 deri 12 do të zhvillojnë mësimin online.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka treguar se ky ka qenë vendim i përbashkët i drejtorëve komunalë të arsimit me ministren e arsimit, Arbërie Nagavci.

“Në një takim që kanë pasur kolegjiumi i arsimit i Asociacionit të Komunave të Kosovës, me ministren Nagavci janë dakorduar që nxënësit nga klasa e 6 deri në të 9-tën dhe nga e 10-ta deri të 12-tën të kenë mësim online, kurse në bankat shkollorë të kthehen nxënësit nga klasa e 1 në klasën e 5”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka theksuar se komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për të ndjekur mësimin online, dhe janë të gatshme të fillojnë me zhvillimin e mësimit.

“Sa i përket a janë të gatshme komunat, gjithmonë kanë qenë të gatshme, nuk është hera e parë që të kemi mësim online nëpër komunat e Kosovës. Komunat kanë bërë të pamundurën që fëmijëve në komunat përkatëse t’u sigurohen edhe pajisjet elektronike në mënyrë që të mos kenë mungesë sa i përket përcjelljes së mësimit online”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ministrja Nagavci, më 30 mars ka mbajtur një takim me qëllim për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.

Në këtë mbledhje, Nagavci pati theksuar brengën e saj për cilësinë e mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, por theksoi se “primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve”.

Pjesë e kësaj mbledhje ishin edhe zyrtarët e ministrisë së arsimit dhe shkencës, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-së, këshilli i prindërve, drejtorë të shkollave, Instituti Kombëtar i shëndetit Publik dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore