Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Të enjten shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit të enjten më katër mars”.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve jemi pothuajse në përfundim të numërimit të fletëvotimeve nga jashtë Kosovës. Deri në orët e mbrëmjes, numërimi i fletëvotimeve jashtë Kosovës do të përmbyllet”, ka thënë Elezi.

Pas përfundimit të numërimit, Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve “i duhen disa orë kohë për të kryer procedurat e parapara, për të përmbyllur administrimin për rezultatin e zgjedhjeve”, tha Elezi.

Tutje, Elezi ka sqaruar se rezultatet përfundimtare do të përfshijnë rezultatet për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje dhe atë sipas vendvotimeve, qendrave të votimit, komunave si dhe rezultatet e votave me kusht dhe atyre me postë.

Pas shpalljes së rezultateve subjektet politike dhe kandidatët kanë kohë 24 orë për t’i paraqitur ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Ky institucion ka kohë më së shumti deri në tre ditë për të vendosur lidhur me ankesat e paraqitura dhe nëse palët janë të pa kënaqura me vendimin e PZAP-it atëherë të njëjtat mund t’i drejtohen brenda 24 orëve, Gjykatës Supreme e cila po ashtu ka tre ditë kohë për të vendosur lidhur me ankesat në fjalë”, ka thënë Elezi.

KQZ duhet të presë deri vendimmarrjen e këtyre institucioneve, “të veprojë në përputhje me ato vendime dhe pasi të përmbyllen të gjitha çështjet që dalin nga procesi, KQZ mund të certifikojë rezultatin përfundimtare dhe të përmbyll procesin zgjedhor”, ka thënë ai.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve KQZ-ja do ta njoftojë në këtë rast “ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, lidhur me rezultatet e certifikuara të procesit zgjedhor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore