Lajme

Kosovë: Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve


Ilustrim

Brenda 24 orëve të fundit Policia e Kosovës ka raportuar shtatë raste të dhunës në familje në Kosovë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se janë arrestuar shtatë persona të raportuar për shkak të dhunës familjare, pesë prej të cilëve janë në mbajtje kurse dy të tjerë janë liruar pas intervistimit të prokurorit.

Policia ka bërë të ditur se një grua në komunën e Fushë Kosovës ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Viktima femër, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Në po të njëjtën komunë është paraqitur edhe një rast tjetër, ku nj person është arrestuar pasi që i kishte dërguar mesazhe kërcënuese ish-bashkëshortes së tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti i kishte dërguar mesazhe  me përmbajtje kërcënuese viktimës femër kosovare ish bashkëshortes së tij”, vijon raporti.

Në lidhje me rastin thuhet se “në konsultim me prokurorin i dyshuari dërgohet në mbajtje”.

Derisa në anën tjetër, në komunën e Lipjanit, në të hënën e 23 gushtit rreth orës 19:15 një grua e ka raportuar bashkëshortin e saj, që siç thuhet në raport i njëjti ka përdorur dhunë fizike dhe psikike drejt ankueses.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar bashkëshorti i saj është duke i shkaktuar dhunë fizike dhe psikike. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar ,rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Për dhunë në familje është arrestuar edhe një person tjetër në komunën e Prishtinës.

“Në bazë të urdhëresës është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën e cekur më lartë. Në konsultim me prokurorin i dyshuari dërgohet në mbajtje”.

Ndërkaq, në komunën e Suharekës një person për shkak të mosmarrëveshjes e ka kanosur gruan e tij.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj, përmes telefoni i dyshuari e kishte kanosur”, thuhet në raport.

Në lidhje me rastin i dyshuari “është arrestuar pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Po ashtu, edhe në qytetin e Pejës është arrestuar një person për shkak sulmimit të një gruaje të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.

“Rreth orës 18:30, të hënën e 23 gushtit është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti e ka sulmuar viktimë femër kosovar duke i shkaktuar lëndime trupore . Pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari dërgohet në mbajtje”, vijon raporti.

Ndërkohë, është arrestuar edhe një person tjetër në komunën e Vushtrrisë i cili sipas raportit të policisë ka përdorur dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje bashkëshorti i saj e kishte përdorur dhunë ndaj saj. I dyshuari është arrestuar ndërsa viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”.

Sipas statistikave të përgjithshme të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se brenda 24 orëve të fundit në Kosovë janë arrestuar 28 persona, ku 13 janë dërguar në mbajtje.

Statistikat e përgjithshme nga Policia e Kosovës për 24 orët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore