Kosova

Kosovë: shpresë për liberalizimin e vizave


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës edhe këtë vit do të mbesin pa liberalizim të vizave.

Edhe pse pritjet ishin të larta, që gjatë presidencës gjermane në Këshillin Evropian (KE), të arrihej liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas Von, shanset mund të jenë më të ulëta, tani që Portugalia ka marrë presidencën e KE-së.

“Për fat të keq nuk është mundur të bëhet ndonjë progres për shkak të skepticizmit të disa vendeve evropiane”, deklaron Von Cramon.

Qeveria e Kosovës duhet akoma të bindë vendet anëtare skeptike si Franca dhe Holanda që ta shtyjnë përpara procesin e liberalizimit të vizave.

Në anën tjetër zyrtarët e BE-së qëndrojnë të heshtur pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se nuk do të njohë Kosovën deri në vitin 2022.

Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano, deklaron se nuk është punë e Bashkimit Evropian (BE), të komentojnë çdo deklaratë të politikanëve në rajon.

BE-ja përqendrohet, sipas Stano-s, në një punë konkrete për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.

Viti 2020 ishte vit shprese për kosovarët, por duket që pandemia i ka orientuar politikat e BE-së diku tjetër.

Në vitin 2018, KE-ja kishte konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të gëzuar të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore