Lajme

Kosovë: Rinumërohen 12 vendvotime


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Në Kosovë do të ketë rinumërim të votave në 12 vendvotime në disa qytetet.

Siç njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Gjakovë do të bëhet rinumërim në një vendvotim, ashtu edhe në Fushë Kosovë, Rahovec, Vushtrri, Ferizaj, Skenderaj e Suharekë.

Derisa në Prishtinë do të rinumërohen votat në dy vendvotime.

Në qytetin e Podujevës do të ketë rinumërim në tri vendvotime.

Vendimi për rinumërim është marrë nga KQZ në mbledhjen e ditës së djeshme.

Rinumërim do të fillojë sot, e premte, nga ora 10:00.

Në atë mbledhje është kërkuar që të anulohen edhe votat me kusht të cilat nuk kanë qenë në përputhje me procedurat.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që dokumentet e skaduar të mërgimtarëve të mos bëhen shkak për anulim të votave.

Përveç këtyre vendvotimeve që tashmë është vendosur të rinumërohen, partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re, që ka garuar në një listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, po kërkon rinumërim edhe në vendvotime të tjera, sepse dyshojnë se u janë vjedhur vota brenda listës.

“Kemi prova se ka ndodhur kështu në së paku 60 vendvotime”, ka thënë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Gjithsesi, afati për ankesa nga partitë ende nuk ka filluar, prandaj KQZ s’ka marrë ndonjë vendim për rinumëruar votash, përveç 12 vendvotimeve të përmendura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore