Kosova

Kosovë: Ramadani i IKSHPK-së: Nuk ka shpërthim të infektimeve me COVID-19


Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadani, ka kërkuar nga qytetarët që masat antiCOVID të respektohen.

Ai gjatë takimit të Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19 tha se “gjatë dy javëve të fundit ka rënie të numrit të rasteve pozitive me COVID-19 si dhe rënie të rasteve të vdekjeve”.

“Infektushmëria është stabilizuar, nuk ka shpërthim të infektimeve”, ka thënë ai.

“Ne do të vazhdojmë masat me një intensitet të shtuar, në mënyre që të ulen rastet pozitive. IKSHPK synon 0 raste pozitive, por duhet angazhimi i të gjithëve”.

Ramandai shtoi se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për vaksinat antiCOVID, dhe se ekipet janë gati.

“Ne po bëjmë gjurmimin e veçantë në shkollat e Kosovës. Kemi vazhduar të japim rekomandime për bartje obligative të maskave deri në rastin zero. Kemi kapacitete të shumëfishuara të testimit me real time PCR. Ekipet e vaksinimit janë gati dhe po presin vaksinat”, tha Ramadani.

Ai theksoi se janë duke bërë hulumtime edhe për rastet e variantit të ri të coranavirusit.

Në raportin e së dielës së IKSHPK-së, një person ka vdekur pas infektimit ndërsa 398 raste janë konfirmuar pozitiv me COVID 19.

IKSHPK në raportin e fundit ka bërë të ditur se ditën e djeshme janë raportuar më së shumti raste pozitive këtë vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore