Lajme

Kosovë: Qeveria miraton raportin vjetor financiar për vitin 2020


Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka miratuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2020.

Raporti financiar, sipas zyrës së Qeverisë pasqyron financat dhe transaksionet financiare të institucioneve të Kosovës nga buxheti i Republikës së Kosovës, fondet në mirëbesim, grandet e përcaktuara të donatorëve, të hyrat vetanake, të hyrat e dedikuara, huamarrjen dhe shpenzimet për menaxhimin e pandemisë COVID-19 për vitin fiskal 2020.

“Ky raport është në përputhje të plotë më kërkesat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe është në pajtim më standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik të bazuar në para të gatshme”.

Sipas këtij raporti pranimet e përgjithshme për vitin 2020 “kanë qenë 2,206,647.000, euro, që është për 16 milionë e 275 mijë euro më pak se në vitin 2019, ndërsa pagesat kanë qenë 2,334,943.000 euro, krahasuar me vitin 2019 janë më të mëdha për 2 milionë e 817 mijë e 503 euro”.

Po ashtu, në këtë raport thuhet se “deficiti nga realizimi prej 5.2 për qind është tregues që Qeveria e Republikës së Kosovës ka respektuar kufirin e lejuar të deficitit (6.5 për qind) si dhe kufirin e planifikuar (2 për qind) të përshtatur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Pas miratimit në Qeveri ky raport i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore