Sport

Kosovë: Qeveria lejon praninë e shikuesve në stadiume dhe salla sportive


Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën më datën 22 qershor, në lehtësimin e masave anti-COVID, mes tjerash ka marrë vendim edhe për lejimin e shikuesve nëpër stadiumet dhe sallat sportive në vend.

Në vendimin më të fundit të qeverisë, lejohet prania e shikuesve deri në 15 për qind të kapacitet të stadiumit, nëpër vendet e hapura.

Derisa në ato të mbyllura, qeveria ka marrë vendim që deri në 5 për qind të kapacitetit të sallave, të kenë drejt të përcjellin ngjarjet sportive.

Kujtojmë që nga muaji mars i vitit të kaluar, fillimisht ishin ndërprerë të gjitha aktivitetet sportive në vend, sikurse në gjithë botën, për shkak të pandemisë së Coronavirus-it.

Pas gati tre muajsh, këto aktivitete u lejuan që të zhvillohen, mirëpo pa praninë e shikuesve në vendet e ngjarjeve.

Ndërsa, tani shumë vende kanë lejuar praninë e tifozëve nëpër shkallët e stadiumeve dhe sallave të ndryshme, ku gjithashtu vlen të ceket se në Kampionatin Evropian, që është duke u zhvilluar tani në 11 shtete të ndryshme të Evropës, secili nga stadiumet e ka të lejuar praninë e tifozëve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore