Përballje

Kosovë: Prishtina mbijeton por drama nuk mungon


Java e 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll ishte plot dramë dhe befasi.

Pa dyshim ndeshja kryesore e kësaj xhiroje ishte përballja direkte mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit.

Këto dy skuadra kishin pikë të barabarta dhe po luftonin për mbijetesë në ligë dhe garën për “Play Out” e cila luhet mes vendit të shtatë ne Superligë dhe vendit të parë në ligën e parë për tu futur në playoff.

Sigal Prishtina arriti fitoren përball Vëllaznimit për të siguruar një vend në “Play Out” me rezultat 79:76.

Dueli ishte i baraspeshuar, por në fund prishtinasit u treguan më vendimtar duke marrë këtë fitore shumë të rëndësishme.

Te Sigal Prishtina u dalluan Nigel Johnson me 24 pikë e 9 kërcime, Tevin Mack me 26 pikë dhe Seth Ladey me 14 pikë e 8 kërcime

Kurse te Vëllaznimi u dalluan Emmanuel Emogbo me 23 pikë e 12 kërcime dhe Ty Nichols me 20 pikë e 11 asistime.

Trepça po ashtu arriti një fitore “vitale” duke siguruar një vend në playoff me fitoren e fundit përballë Rahovcit me rezultat 71:60.

Ndeshja ishte e baraspeshuar deri në çerekun e katërt ku mitrovicasit treguan se e donin fitoren më shumë se vreshtarët.

Te Trepça u dalluan Dino Butorac me 23 pikë e 18 kërcime, Drilon Hajrizi me 18 pikë e 6 kërcime dhe Stavros Toutziarakis me 12 pikë e 9 kërcime.

Kurse te Rahoveci më të mirët ishin Darell Davis me 16 pikë dhe Arian Qallaku me 13-të.

Ndërsa në ndeshjen prizrenase përballë Bashkimit dhe Ponte Prizrenit, këta të fundit triumfuan me rezultat 102:92 duke siguruar edhe gjysmëfinalen e playoffit me këtë fitore.

Bashkimi gjendet në vështirësi pasi tani ka vetëm një pikë më pak se Prishtina, dhe me një humbje mund të bëjnë pjesë në “Play Out” e jo në “Playoff”.

Te Ponte Prizreni u dalluan Divine Myles me 31 pikë, 5 kërcime dhe 5 asistime, Joshua Martin me 15 pikë e 13 kërcime, Urim Zenelaj me 16 pikë e 7 kërcime, Blend Matoshi me 18 pikë dhe Landon Taliaferro me 20 pikë.

Ndërsa te Bashkimi u dalluan Obinne Oleka me 18 pikë e 10 kërcime, Milos Latkoviq me 16 pikë e 11 asistime, Musab Mala me 18 pikë dhe Julian Hamati 17 pikë.

Ndeshje fantastike ishte edhe ajo mes KB Pejës dhe Golden Eagle Yllit ku triumfuan këta të fundit me rezultat të ngushtë 78:74.

Dueli ishte dramatik ku fituesi nuk dihej deri në minutat e fundit.

Kjo fitore e pozicionoi Golden Eagle Yllin në vendin e dytë me pikë të barabarta me Rahovecin.

Më të mirët te Golden Eagle Ylli ishin Lg Gill me 16 pikë e 8 kërcime dhe Valon Bunjaku me 15 pikë, 5 kërcime e 7 asistime.

Ndërsa më të dalluarit te Peja ishin Brandon Walters me 17 pikë e 15 kërcime dhe Laron Dendy me 18 pikë e 12 kërcime.

Këto janë ndeshjet e xhiros së fundit ku Prishtina do mundohet të hyjë direkt në playoff dhe Rahoveci do të provojë të rimarr vendin e dytë duke shkuar drejt në gjysmëfinale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore