Lajme

Kosovë: Policia e shpalli në kërkim ai “e bëri gjumin” në shtëpi


Agron Novaj, i kërkuar nga Policia e Kosovës

Agron Novaj nga Peja është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës të mërkurën, si i dyshuar “i përfshirë në aktivitete kriminale të kontrabandës me mallra”.

Fotografia e tij me datën e lindjes emrin e mbiemrin është shpërndarë në të gjitha mediet në Kosovë, si person i kërkuar nga Policia, pasi që ky institucion i sigurisë në vend bashkë me njoftimin për shpalljen në kërkim të tij dhe nëntë personave të tjerë, pas aksionit të së mërkurës në nivel vendi, ka kërkuar nga qytetarët që të lajmërojnë policinë në rast se hasin në ta.

I kontaktuar nga Albanian Post, vëllai i Agronit, Luan Novaj, hodhi poshtë deklaratën e Policisë së Kosovës se i vëllai është në kërkim.

“Vëllai im është lajmëruar në Polici dhe ata e dinë se ku është”, ka deklaruar Luan Novaj për Albanian Post.

“Nuk është e vërtetë asgjë çfarë është thënë, nuk është në kërkim, ai është paraqitur vetë në polici dhe mbrëmë gjumin e ka bërë në shtëpi, te ne”, ka shtuar më tej Novaj.

Luani nuk deshi të flas kur u pyet nga redaksia për veprimtarinë e të vëllait, për çka edhe po kërkohet.

“Është në proces gjyqësor, nuk mund të flasim më shumë”.

“Për mos me hi në shumë detaje, është bërë problem më shumë mediatik sesa real”, ka përfunduar Luan Novaj për Albanian Post.

Pas aksionit të zhvilluar nga forcat e rendit dhe dogana, në nivel vendi të mërkurën, Policia e Kosovës ka publikuar fotografitë dhe emrat e dhjetë personave si të dyshuar për përfshirje në veprën riminale kontrabandim me mallra.

Përvec Agron Novaj, Policia po kërkon edhe lija (Vitomir) Vicentijeviç nga Mitrovica e Veriut, Vehbi (Kadri) Hyseni nga lagjja Shipol Mitrovicë, Muhamet (Kadri) Hyseni nga lagjja Shipol Mitrovicë, Muhamet (Sefedin) Vallçi nga, lagjja Vaganicë Mitrovicë, Besim Zeqiri nga fshati Kaqandolle-Mitrovicë, Halil Sylejmani nga Kqiqi – Mitrovicë, Festim Sylejmani nga Kqiqi – Mitrovicë, Fitim Latifi nga Kushtova – Mitrovicë dhe Milan Radisavljeviç nga Zubin Potoku.

10 personat e kërkuar nga Policia për kontrabandë me mallra

Përveç këtyre 10 personave në kërkim, Policia e Kosovës një ditë më parë ka deklaruar se ka arritur të shoqëroj në polici 8 persona të tjerë të cilët ishin të dyshuar për përfshirjen në veprën kriminale kontrabandë me mallra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore