Lajme

Kosovë: Për herë të dhjetë dorëzohen dosje në Kushtetuese për kompensimin e dëmeve te luftës


Organizata joqeveritare “Ngritja e Zërit”.

Është hera e dhjetë që organizata jo qeveritare “Ngritja e Zërit” i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, për të njëjtin qëllim.

Edhe të premten e 10 dhjetorit, kjo organizatë deponoi në këtë gjykatë dosje të cilat kanë të bëjnë me kompensimin e dëmeve të luftës.

Shkak i përsëritjes së kësaj procedure për të dhjetën herë, thuhet se është refuzimi i vazhdueshëm i padive për kompensim të dëmeve të luftës.

Kryetari i organizatës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta është shprehur se për të gjitha këto herë kanë dorëzuar tri dosje.

Organizata joqeveritare “Ngritja e Zërit”.

“Kosova përmes Kushtetutës së saj i ka përvetësuar edhe konventat ndërkombëtare madje i ka vendosur mbi gjyqësorin vendor por të njëjta nuk janë duke u zbatuar”, ka thënë Bejta para mediave.

Me gjashtë tetor të 2020, ka qenë hera e fundit që e njëjta organizatë kishte kërkuar kompensim të dëmeve të luftës.

Kjo organizatë, me refuzimin e kërkesave nga Kushtetuesja është shprehur se po ju bëhen shkelje vazhdimisht.

Por që, “edhe kundër refuzimit, do të këmbëngulin në kërkesat e tyre deri atëherë kur do të ju kompensohen dëmet e luftës”, kishte thënë Bejta.

Ai shtoi se, “padrejtësisht palëve të dëmtuara në cilësinë e palëve paditëse është duke u mohuar e drejta e garantuar, qasja në drejtësinë vendore”.

Ndryshe, deri më tani, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë vlerësim zyrtar të dëmeve materiale nga lufta.

Megjithatë në vitin 2011, 12 vjet pas përfundimit të luftës, është paralajmëruar se do ta nisë mbledhjen e fakteve për të argumentuar këto dëme.

Për këtë arsyeje ishte krijuar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore