Lajme

Kosovë: PDK-ja paralajmëron protesta kundër Qeverisë Kurti


“Të gjitha mjetet e lejueshme përfshirë edhe protestat, do t’i përdorim për ta mbrojtur interesin qytetar”, ka thënë anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.

Kjo sipas tij bëhet sidomos kur “cenohet” sovraniteti funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetar.

Gjoshi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se “mungesa e programit të Lëvizjes Vetëvendosje tregon se ata janë njerëz pa përvojë politike”.

“Edhe pse ka dy muaj që ka përfunduar procesi zgjedhor. Ata ende nuk ia kanë ofruar qytetarëve një vizion se si do të qeverisin në këtë vend. Edhe për kaq ditë që kanë qeverisë kanë dhënë shenja të paaftësisë dhe mungesës së përvojës qeverisëse”, shtoi Gjoshi.

Lidhur me miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ai ka kërkuar që “të ruhet privatësia e gjyqësorit dhe prokurorisë në mënyrë që të mos kalohet në arbitraritet”.

Gjoshi, duke kritikuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit, ka thënë se në qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka degradim në drejtimin e institucioneve.

“Kosova ka degradim në drejtuesit e institucioneve. Zonja Gërvalla është e papërvojë në aspektin e diplomacisë, kjo u dëshmua edhe në Këshillin e Sigurimit. Është e turpshme paraqitje e saj, gjuha e saj e njëjtë me gjuhën e ministrave që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje ai e quajti Gërvallen si “një inaçore politike”, për shkak se kur u kritikua bërthama e lirisë së Kosovës, lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, sipas tij ajo nuk pati asnjë reagim ndaj mbrojtjes së lirisë.

Ai po ashtu e ka kritikuar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilën e ka quajtur si “përçarëse”, dhe e ka konsideruar si person “jo i duhur për këtë pozitë”.

“Krejt jetën e saj ka përçarë, dhe krejt çka kërkojmë është që të respektojë Kushtetutën dhe mos ta përdorë pozicionin e presidentit për t’i shërbyer një partie politike”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore