Lajme

Kosovë: Opozita kërkon dorëheqjen e ministrit Vitia


Ilustrim

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kanë kritikuar Qeverinë Kurti pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, duke e konsideruar si situatë alarmante gjendjen për shkak të pandemisë në Kosovë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njëherësh edhe deputet nga radhët e LDK-së, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook e ka kërkuar dorëheqjen e ministrit aktual të Shëndetësisë, Arben Vitisë.

“Ministri Vitia, duhet të jep dorëheqje të parevokueshme si pasojë e dështimit në menaxhimin e pandemisë Covid-19”, ka shkruar Zemaj.

Në anën tjetër edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj, menaxhimin e pandemisë COVID-19 e ka quajtur si “të frikshëm dhe të pritshëm”.

“Me një menaxhim të tillë, ne po shkojmë drejt një situate kur rastet do të shumëfishohen, dhe ekonomia, edhe ashtu e lënduar, rrezikon të përjetojë edhe një goditje nga një mbyllje e serishme”, ka shkruar ai në Facebook.

Kandidimi i Vitisë për kryetar të Komunës së Prishtinës, është një ndër reagimet e ashpra të opozitës.

Nikaj drejtuar Vitisë ka theksuar se nuk është koha për kandidim, është koha për menaxhim të pandemisë.

“Gjithë këto ditë, teksa po dëgjojmë secilën herë shifra rekorde të rasteve, Ministri i Shëndetësisë nuk është marrë me menaxhim. Ai është marrë më kandidim. Kjo është e papranueshme dhe e pa justifikueshme”, ka shkruar ai.

Procesin e vaksinimit masiv në Kosovë, Nikaj e ka quajtur “kaotik, me shumë probleme dhe pasiguri”.

“Ka mungesë terminesh, ka tollovi në qendra vaksinimi, ka mungesë të fushatës vetëdijësuese për vaksinim, stafi shëndetësor është i rraskapitur nga mungesa e mbështetjes me profesionistë të tjerë dhe nga mungesa e përkrahjes financiare shtesë”, shtoi ai.

Sipas tij, të gjitha këto po ndodhin për shkak të numrit të paktë të qendrave të vaksinimit.

“Ndonëse i gjithë procesi po shkon ngadalë, e po shoqërohet me probleme të mëdha, për çudi vikendeve ende nuk ka vaksinim. Nuk më ka rastisur të lexojë se një shtet normal ka stopuar vaksinimin e shumëkërkuar për dy ditë të çdo jave. Krahas këtyre aspekteve të munguara e të pamjaftueshme, masat për mbrojtje nga virusi janë në mjegull të plot”, vijon shkrimi i anëtarit të kryesisë së PDK-së.

Ndërkaq vetëm gjatë të martës së 17 gushtit, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar pesë persona të vdekur nga COVID-19 dhe një mijë e 765 persona të infektuar.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 121 persona gjithsejtë.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë mijë e 10 mijë e 183.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar 21 mijë e 903 persona kundër Coronavirusit.

Numri i të vaksinuarve me dozën e parë të vaksinës anti COVID është 388 mijë e 422 ndërsa numri total i të vaksinuarve me të dy dozat e vaksinës është 213 mijë e 279.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore