Lajme

Kosovë: Opozita e bindur se Qeveria dështoi në menaxhimin e situatës në Deçan


Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në komunën e Deçanit pas helmimit të një numri të madh të qytetarëve, ku Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, tha se nuk janë marrë veprimet e duhura nga institucionet përgjegjëse, duke shtuar se edhe pohimet prej çka është shkaktuar helmimi janë kontradiktore.

Sipas tij, vendimet e Qeverisë së Kosovës janë të vonuara.

“Nuk kam marrë raport nga Agjencia e Emergjencave. Mendoj që nuk janë marrë veprime të caktuara dhe disa institucione veç kanë dështuar. Përfaqësuesit e institucioneve, njerëzit që kanë përgjegjësi folën me dy kuptimësi. IKSHP ka thënë se nuk janë të helmuar, e në anën tjetër shpallet gjendje e jashtëzakonshme”, është shprehur Berisha.

“Ani pse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është jashtë vendit, atë mund ta zëvendësojë zëvendëskryeministri i parë”, shtoi ai.

Po ashtu Berisha situatën në komunën e Deçanit e ka quajtur “fatkeqësi”, sepse sipas tij, dyshimet janë edhe për sulme prandaj ai ka kërkuar që të thërritet Këshilli për Siguri Kombëtare.

“Nuk po bëj politikë, kjo llogaritet si fatkeqësi. Janë dyshimet edhe për atak, apo sulm terrorist. Nuk kemi ende raport dhe nuk dihet çka ka ndodhur, prandaj nuk përjashtohen si mundësi”, është shprehur Berisha.

Kritika ndaj qeverisë ka pasur edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, i cili ka thënë se reagimi ka qenë jashtë përgjegjësive dhe se krejt kjo situatë është papërgjegjësi e kryeministrit Kurti.

“Reagimi ka qenë jashtë përgjegjësive. Është papërgjegjësi që kryeministri të jetë jashtë vendit për shtatë ditë sepse Deçani është më shqetësues. Në çdo situatë po të kishte takime shumë të veçanta do të duhet t’i ndërpriste takimet. Kjo është papërgjegjësi e kryeministrit”, ka thënë Reçica.

“Njerëzit janë të sëmurë, po shihen se kanë simptoma. Kryeministri me ligj e drejton vendit, ka mundur të vijë dhe të kthehet sërish atje. Është papërgjegjësi totale”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se edhe pse situata nuk është e mirë për shkak të rritjes së shqetësimeve të qytetarëve, menaxhimi sipas tij është në nivel.

Dugolli ka kërkuar që kjo ngjarje të mos shfrytëzohet si rast për të hedhur akuza.

“Në rastin e Deçanit, komuna dhe qytetarët kanë nevojë t’iu ndihmojnë sepse në raste të tilla duhet të jemi bashkë. Plani i reagimit e parasheh që në rast se komuna nuk mund ta përballojë aktivizohet niveli qendror, ministri për Punë të Brendshme dhe shtabi emergjent. Të mos hedhim akuza aty ku nuk ka. Sepse Qeveria ka reaguar kur e ka marrë informacionin zyrtar”, ka thënë Dugolli.

Sipas tij, trajtimi i ujërave në aspektin e sigurisë duhet të jetë fokusi kryesor i këtij komisioni.

“Pusetat apo rezervarët le që nuk kanë mbikëqyrje fizike por janë edhe të hapura që mund të jenë burim i çfarëdo rreziku”, ka thënë ai.

Kurse Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se situatat e tilla edhe mund të përsëriten për shkak të mos aktivizimit të institucioneve relevante për të gjetur shkaktarin e helmimit.

“Përderisa nuk kemi aktivizim të institucioneve tani është kjo gjendje dhe ende nuk e dimë shkaktarin. Këto gjëra mund të përsëriten”, është shprehur Quni.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore