Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Numërohen rreth 33 mijë fletëvotime me postë, Vetëvendosje merr shumicën dërrmuese


Rreth 33 mijë fletëvotime të ardhura përmes postës në Kosovë janë numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nga ky numër Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjithsejtë 26 mijë e 079 vota.

Kjo është bërë e ditur përmes tabelës së rezultateve, e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë.

Këto fletëvotime kanë filluar të numërohen në mëngjesin e së martës.

Nga gjithsejtë 33 mijë e 488 fletëvotime të numëruara, sipas të dhënave nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë gjithsejtë dy mijë e 829 vota duke e lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me gjithsejtë dy mijë e 486 vota.

Menjëherë pasi të përfundojë procesi i numërimit të këtyre votave të ardhura përmes postës, dhe disa procedurave të QNR-së, atëherë “KQZ mund të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e së martës.

Me shpalljen e rezultateve përfundimtare të KQZ nuk do të përmbyllet procesi zgjedhor pasi janë subjektet politike dhe kandidatët të cilët kanë të drejtë ti paraqesin ankesat e tyre në PZAP.

Sipas Elezit, këto ankesa duhet të paraqiten brenda 24 orëve nga momenti i shpalljes se rezultateve nga ana e KQZ-së.

Ky institucion ka kohë më së shumti deri në tre ditë për të vendosur lidhur me  ankesat e paraqitura dhe nëse palët janë të pa kënaqura me vendimin e PZAP-it atëherë të njëjtat mund t’i drejtohen brenda 24 orëve, Gjykatës Supreme e cila po ashtu ka tre ditë kohë për të vendosur lidhur me ankesat në fjalë”, tha ai.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore