Lajme

Kosovë: Nuk marrin leje paraprake, ndalohen në Jarinje pelegrinët serbë


Pelegrinët dhe udhëtarët serb të ndaluar në pikën kufitare në Jarinje

Gjatë ditës së shtunë në media është raportuar se dy autobusë me 83 udhëtarë janë kthyer mbrapshtë në pikën kufitare në Jarinje.

Në mesin e tyre kanë qenë edhe 39 pelegrinë.

Për Albanian Post, Zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka thënë se “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit, vendimeve dhe marrëveshjeve që institucionet e vendit i ndërmarrin (ose i kanë ndërmarr)”.

Sipas Krasniqit, institucionet përkatëse nuk kishin pranuar kërkesë për vizitë.

“Policia, në Pika të Kalimit Kufitar ndërmerr veprime që janë në përputhje me atë që u tha më lartë. Në rastin konkret, institucionet përkatëse të RKS-së nuk kanë pranuar kërkesë për vizita”, tha Krasniqi.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Një nga organizatorët e Asociacionit të Studentëve të Pavarur nga Beogradi, Marko Jeliq, në një deklaratë për mediumin Kossev ka thënë se ata i kanë organizuar tradicionalisht këto vizita nëpër manastire dhe monumente në Kosovë dhe ata (policia) kanë qenë të njohur me procedurat në kufi.

Ndërsa gjatë ditës së enjte është mbajtur një liturgji fetare në objektin pa leje dhe të papërfunduar të Kishës Ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, në kampusin Universitare të Prishtinës.

Ndërsa në vend pati reagime të ashpëra nga partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Gjatë ditës së shtunë zyra e kryeministrit të Kosovës ka thyer heshtjen për këtë ngjarje.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku thotë se Kisha Ortodokse Serbe përformoi një liturgji politike të enjten në objektin që gjendet në kampusin e UP-së.

“Duke organizuar liturgji politike, të bën Kishë politike. Kësisoj në vend se të sjellësh njerëzit së bashku, ti shkakton konflikt. Zoti na urdhëron neve që të kërkojmë paqe. Ndjekja e instruksioneve të “zotërave politikë” është formulë për shkatërrim”, ka shkruar Çeku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore