Lajme

Kosovë: Nis vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 85 vjeçare


Ilustrim: Një qytetare duke u vaksinuar

Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

Në njoftim tregohet se vaksinimi i kësaj grupmoshe do të bëhet fillimisht në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në komunat e tjera si Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Vushtrri.

Ndryshe nga komuna e Prishtinës, vaksinimi kundër COVID-19, në komunat e tjera bëhet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Marrja e serumit anti-COVID për këtë grupmoshë besohet se do të zgjatë tri ditë.

Më pas do të vazhdohet me grupmoshën nga 80 deri në 84 vjeç, në po të njëjtat vende të vaksinimit.

Ndërkohë më parë është bërë e ditur se personat që kanë aplikuar në web faqen ekosova.rks-gov.net, do të kontaktohen për vaksinim përmes telefonit.

Ndërsa në Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, deri më shtatë prill janë vaksinuar rreth katër mijë e 300 persona.

Kështu ka thënë para mediave koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, i cili ka deklaruar se procesi i imunizimit në Kosovë është duke vazhduar pa probleme.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur të hënën më 29 mars, ndërsa një ditë më parë, më 28 mars në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër Coronavirusit, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore