Lajme

Kosovë: Në pritje të seancës për votimin e presidentit/es


Ende nuk ka filluar seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës në Kuvend, ndonëse ishte paralajmëruar për orën 18:00.

Kësaj seance i ka paraprirë tërheqja e Ligjit për Zgjedhjet nga Kuvendi i Kosovës, që ishte edhe kusht i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”, saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook se “mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti”.

“Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë. Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve”, tha Kurti.

Të premten në mbrëmje ka dështuar nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për ta kaluar në procedurë të përshpejtuar Ligjin për Zgjedhjet, pasi votuan vetëm 65 deputetë për dhe 39 ishin kundër.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore