Lajme

Kosovë: Miratohet vaksinimi me dozë të katërt kundër COVID-19 edhe për disa kategori


Qendra e vaksinimit.

Është miratuar vaksinimi me dozën e katërt kundër COVID-19 për disa kategori, kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Lejohet vaksinimi me dozën e katërt për të gjithë personat e grup-moshës mbi 50 vjeçare (të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë), personat me sëmundje kronike dhe imunitet të dobësuar të moshës mbi 5 vjeçare (të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë) si dhe për profesionistët shëndetësorë, pa dallim moshe”.

MSH-ja ka njoftuar se ky vendim është marrë me rekomandim të Komitetit për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19.

“Lejohet vaksinimi me dozën e katërt Rekomandimet e aprovuara janë mbështetur në organizatat kredibile ndërkombëtare të fushës së shëndetësisë”.

Deri tani, vaksinimi me dozë të katërt ishte i lejuar vetëm për personat 60 vjeç.

 

Ministria e Shëndetësisë, bëri të ditur të premten se janë regjistruar 67 raste pozitive me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 486 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 203 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 885 persona.

Brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar 17 persona.

Numri i personave të vaksinuar me dozën e parë arrin në 904 mijë e 147, kurse numri i të vaksinuarve me të dy dozat është 824 mijë e 525.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore