Lajme

Kosovë: Miratohet Projektligji për Automjete


Me shtatë vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, u votua më 16 korrik, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Adnan Rrustemi, Kryetar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka thënë se nga Komisioni funksional është propozuar të ndryshohen dy amendamente që kanë të bëjnë me çështje teknike.

Sipas Rrustemit, Ligji është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e zbatueshme në vend.

Ndërsa, në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqaj, tha se ky ligj ka nevojë për shumë ndryshime dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Beqaj, përmend dy nene: atë të kushtëzimeve të pagesave dhe të ndërrimit të pronarit, të cilat i dëmtojnë qytetarët me 15 milionë euro në vit.

“Te ndërrimi i pronarit, 95 mijë pronarë e bëjnë ndryshimin e pronësisë gjatë viti, nëse ndërron pronari duhet të paguhen të gjitha taksat, 15 milionë euro i dëmtojmë qytetarët si Qeveri me këtë rast edhe taksa 10 euro është në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Beqaj.

Më pas ai ka përmendur edhe nenin 43, që sipas tij duhet të hiqet, pasi që në vitin 2020 janë mbi 200 mijë vetura të paregjistruara në treg.

Kurse Rrustemi, insistoi për ndryshimet të cilat janë bërë, që janë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

“Kjo është nismë e deputetëve, opinion ka dhënë edhe Qeveria dhe gjithçka është në rregull, nëse e keni problemin me Ligjin bazë, atëherë e keni miratuar vet” përfundoi Rrustemi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore