Lajme

Kosovë: Miratohet ligji për heqjen e homologimit për automjete


Kuvendi i Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës, me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar projektligji për automjete që heq homologimin për mjete rrugore të reja dhe të përdorura.

Në parim, ky projektligj është miratuar javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, nuk ka arritur të kalojë për shkak të mungesës së kuorumit.

Kështu ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë seancës plenare.

“Nuk ka kuorum për të votuar, 59 deputetë kanë votuar. Nuk kalon projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë”, është shprehur Konjufca.

Deputetët e opozitës nuk kanë votuar për miratimin e këtij projektligji.

Ferat Shala, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky ligj ashtu nuk e plotëson as minimumin e kërkesës së direktivës 2017/61 të Bashkimit Evropian edhe pse është tentuar të përkthehet.

“Ky projektligj në parim është një përkthim i direktivës 2014/61 të BE dhe Këshillit me datën 15 maj 2014. I njëjti ligj po servohet me të njëjtat defekte drejtshkrimore, gjuhësore, teknike dhe përmbajtjesore në qëllim dhe në kuptim të ligjit”, ka thënë Shala.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se kërkuar që ky ligj të kthehet edhe njëherë në punim.

“Ajo që shihet në lexim të parë ka probleme serioze në përmbajtje jo vetëm në raport me përkthimin mirëpo edhe me zbatimin e këtij ligji. Kërkojmë që ky ligj të kthehet në Qeveri, të amandamentohet dhe pastaj të vjen me përgatitje dhe me një plan të saktë të financimit”, është shprehur Tahiri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se qëllimi i këtij projektligji arrihet përmes katër objektivave.

“Shfrytëzimit më të mirë të infrastrukturës ekzistuese dhe rritjes së transparencës së saj duke përfshirë të gjitha shërbimet publike, duke rritur transparencën dhe koordinimin e punimeve ndërtimore inxhenierike, përshpejtimi i dhënies së lejeve dhe sigurimit të mundësisë për qasje në internet të shpejtësisë të lartë të ndërtesave”.

Sipas saj, ky projektligj përcakton të drejtat dhe obligimet e palëve të përfshira në ndërtim të infrastrukturës dhe koordinimin ndër sektorial të investimeve me sektorë të tjerë.

Me 74 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë seancës plenare në kuvend, ka paraqitur këtë projektligj për të cilin ka thënë se gjatë përgatitjes janë marrë në konsideratë rekomandimet dhe sugjerimet e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar.

Këtë projektligj e kanë përkrahur edhe partitë opozitare.

Abelard Tahiri, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky subjekt politik është në mbështetje të këtij projektligji.

“PDK e përkrahë një iniciativë të tillë, e cila është e vonuar, me sa mbaj mend si iniciativë ka filluar në qeverisjen Thaçi 2”, ka thënë ai.

Në anën tjetër edhe Armend Zemaj, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se LDK do të shqyrtojë dhe analizojë vendimin e këtij projektligji.

“Ligjet duhet të jenë përmbajtjesore për të zgjidhur probleme dhe të avancohen çështjet ligjore e jo të komplikohen. Nuk është zgjidhje caktimi i afatit deri në vitin 2024. Afatet nuk janë të nevojshme sepse vetëm komplikohen problemet. LDK do ta shqyrtojë këtë vendim”.

Një tjetër projektligj i miratuar gjatë seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës është edhe ligji për odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

“Me 60 vota për, asnjë kundër dhe tetë abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Sipas ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, Liburn Aliu, me këtë projektligj do të rregullohen aspekte të rëndësishme të funksionimit në dy fusha të rëndësishme, do të themelohet Oda e Arkitektëve dhe Oda e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit, si dy oda të pavarura që ushtrojnë kompetenca të caktuara publike në Kosovë.

Aliu ka thënë se përmes këtij projektligji parashihet të rregullohet anëtarësimi në oda, përcaktohet selia, statusi i tyre, roli dhe fushëveprimi, profesionet, licencat dhe përgjegjësitë disiplinore.

“Ky projektligj është hartuar në bazë të rregullave të përcaktuara me rregulloren e punës, është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin që ndërlidhet me të”, ka thënë Aliu.

“Projektligji për odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit përmban shtatë kapituj dhe ka gjithsejtë 53 nene, adreson çështjet që kanë të bëjnë me licencimit e arkitektëve dhe inxhinierëve dhe është në harmoni me normat dhe direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian. Përmes miratimit të këtij projektligji synohet themelimi i një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm i cili përmban mekanizma të fortë të mbikëqyrjes dhe edukimit të vazhdueshëm të arkitektëve dhe inxhinierëve”, shtoi ai.

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kërkuar që ky projektligj të kthehet atje ku e ka vendin që sipas saj është “te komuniteti profesional, në njësitë akademike”.

“Nuk jemi kundër këtij ligji por mendojmë që duhet të rikthehet edhe njëherë në debat publik me kategoritë profesionale”, ka thënë Hoxha.

Gjatë mbajtjes së kësaj seance është miratuar edhe projektligji për krijimin e Infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Kosovë.

Sipas ministrit Liburn Aliu, lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e qëndrueshëm me mjedisin dhe transparencës karshi qytetarëve dhe investitorëve.

Ky projektligj ka kaluar me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në anën tjetër, me 66 vota për, asnjë kundër, një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar rëndësinë ë këtij projektligji duke theksuar se i njëjti ka për qëllim rregullimin e disa fushave, si: mënyrës së identifikimit të personave juridik dhe fizik, të kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronik, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre.

Sipas saj, “nuk do të ketë kosto shtesë për buxhetin e Kosovës, mirëpo për zbatimin konkret të dispozitave të këtij projektligji qeveria ka arritur të fitojë një grant në vlerë prej 4 milionë euro”.

Sipas deputeti të PDK-së, Ferat Shala, “ky ligj nuk ka kaluar as me votat e LVV-së sepse ligji është cilësuar jo i përgatitur mirë me shumë gabime. Është kthyer njëherë i cili tani vjen 100% me të njëjtat gabime, të njëjtat veprime, dhe vërejtje”.

Ndërkaq, deputetja nga LDK, Valentina Bunjaku ka thënë se LDK nuk do të përkrahë këtë projektligj.

Ndryshe nga Bunjaku, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, në emër të grupit parlamentar të këtij subjekti politik e ka mbështetur votimin e këtij projektligji.

Kurse Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, ka kaluar duke u votuar me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një fjalim të shkurtër ka treguar se ky projektligj ka pritur më shumë se për një dekadë.

Sipas saj, sektori i naftës është i rëndësishëm për sundimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorit, mjedisit, konkurrencës, integrimin evropian në përgjithësi.

“Në këtë projektligj ofrohen këto përparësi: do të ketë mekanizma që lidhen me prodhimin dhe përpunimin, procedurat e lejeve janë të thjeshtëzuara, bizneset do të kenë më të lehtë pajisjen me leje”, ka thënë ajo duke shtuar se mbikëqyrja e tregut të naftës do të jetë transparente.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore