Lajme

Kosovë: Ministria e Shëndetësisë s’ka ende datë për vaksinat


Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, nuk ka caktuar ende një datë të saktë të ardhjes së vaksinave.

Ai ka theksuar se “është duke u pritur kontingjenti i parë i vaksinave”, por vetëm kaq.

Përveç vaksinave, pjesa tjetër është përgatitur ka thënë Zemaj.

“Ministria e Shëndetësisë është e gatshme që posa të vijnë, të zbatohet strategjia e vaksinimit Anti COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj në një konferencë për media, e cila erdhi pas takimit të tij me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin.

Ata bashkë kanë vlerësuar situatën epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë, e cila, u tha se, ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit.

“Kosova ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit për 7.7 për qind, me trend të rritjes në tri ditët e fundit të kësaj jave nga 320 raste në 422 raste”.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë rekomandon rigorozitet të masave për të ndalur trendin e rritjes së rasteve me virus.

Po ashtu edhe Hoti theksoi se institucionet përgjegjëse, në veçanti policia e Kosovës “duhet të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19 në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore