Film

“Ministria e Kulturës bën politika të akraballëkut”


Jeton Neziraj, Ballkan Bordello

Jeton Neziraj, dramaturgu, ish-drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe tash drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë, i ka reaguar ashpër Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi kjo e fundit ka publikuar listën finale të projekteve të financuara nga Ministria, dhe s’e ka përfshirë “Ballkan Bordello”-n, projektin e vetëm që është bashkëprodhim teatror ndërkombëtar për vitin 2021.

“Kjo na mbushë me mllef e neveri. Por në të njëjtën kohë, na mbushë mend dhe na kthjellë, se në Ministrinë e Kulturës në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi”, ka shkruar dramaturgu Neziri.

“Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe La MaMa-s nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohur në botë”.

Tutje Neziri është shprehur i mllefosur dhe i zhgënjer me Ministrinë, pasi që, sipas tij, kjo Ministri me formacione të reja të dalura nga zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ka ndryshuar asgjë.

“Ajo Ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deri-djeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike, vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme”, ka thënë ndër të tjera Neziri.

Ai ka nënvizuar se Qendra Multimedia të cilën e drejton ai “refuzon të bëhet pjesë e një procesi të kompromituar të ndarjes së fondeve publike. Dhe refuzon të ketë të bëj me një ministri kulture si kjo, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjecarë në fushën e teatrit e letërsisë”

“Si rrjedhojë, 5,000 të cilat MKRS ia ka ndarë Qendrës Multimedia, po i kthejmë mbrapsht – MKRS mund t’ia japë Manifestës së cilës, në kurriz të skenës kulturore ia ka ndarë 700,000 euro, pra me këtë ‘donacion’ tonin, le t’i bëhen 705,000”.

Jeton Neziraj kishte fituar Çmimin Evropian për Arritje Kulturore nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Çmimin “Evropiani i vitit” ia kishte dorëzuar shefja e asokohe e Zyrëës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova së bashku me ish-kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli, dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore