Lajme

Kosovë: Mbi 28 mijë të vaksinuar, në dispozicion rreth 900 vaksina Pfizer


“Mbi 28 mijë të vaksinuar kundër Coronavirus në Kosovë, nga vaksinat anti-COVID të kompanive Pfizer/Biontech dhe AstraZeneca”.

Këtë e ka bërë të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, Niman Bardhi, në një konferencë për media.

Sipas tij, në ditën e gjashtë të imunizimit nga vaksinat Pfizer/Biontech, nga gjithsejtë katër mijë e 680 vaksina, tre mijë e 700 prej tyre janë shpenzuar.

Bazuar në numrin total të dozave të siguruara në kontingjentin e parë, kanë mbetur edhe 980 vaksina.

Aktualisht vetëm gjatë datës 10 maj, janë vaksinuar 120 persona të cilët i takojnë personelit shëndetësor.

Bardhi ka deklaruar se “pjesa e personelit shëndetësor është prezentë por jo në numrin që kemi pritur”.

Ai tutje ka sqaruar se pavarësisht interesimit të madh të qytetarëve, kontingjenti i fundit i vaksinave anti-COVID ka qenë i siguruar vetëm për personelin shëndetësor.

Kosova deri më tani ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga programi COVAX dhe 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer, donacion nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka ndarë gjithsej 95 mijë doza të vaksinës Pfizer/Biontech për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten, se duke filluar nga java e ardhshme do të ketë vazhdimisht kontingjente të vaksinave që do të vijnë në Kosovë.

Ndërkaq, në vend vazhdojnë të mbesin në fuqi masat e njëjta, ku pas orës 22:30 në të gjitha komunat vlen ora policore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore