Lajme

Kosovë: Kuvendi miraton projektligjin për rishikimin e buxhetit


Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Me 68 vota për, një kundër dhe një abstenim është miratuar në parim “Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Murati në fjalën e tij ka thënë se të gjithë treguesit në dispozicion deri më tani tregojnë për një rikuperim të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021, krahasuar me projeksionet fillestare.

“Me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro”.

Ai ka thënë se me këtë rishikim të hyrat buxhetore priten të rriten me rreth 155 milionë euro, rrjedhimisht sipas tij kjo “mundëson edhe rritjen e shpenzimeve dhe ekzekutimin e buxhetit përkatësisht”.

Ai ka thënë se me këtë rritje “përfshihet edhe një dividentë e paraparë prej 30 milionë eurove nga dy ndërmarrje publike”, tha ai.

Ministrin Murati e ka mbështetur, kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja. Po ashtu mbështetje i ka dhënë edhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kurse ish ministri i Financave, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mos-zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Ju jeni të obliguar. Nuk është në vullnetin tuaj por është detyrim ligjor”, ka thënë ai.

Hamza po ashtu ka thënë se tendenca e qeverisë është të rrit borxhit publik.

“Ju brenda 1 viti po planifikoni me rrit borxhin publik dhe me i ngarkua gjeneratat e ardhshme me obligime për rreth gjysmë miliardi euro. Gjysmë miliardi euro borxh brenda një viti fiskal është jashtëzakonisht shumë!? A e dini që Ligjin për rishikimin e buxhetit e keni në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë”.

Tutje në fjalën e tij Hamza ka thënë se rritja e borxhit publik në nivelin prej 30% është shumë i lartë dhe si rezultat do të ketë komplikime edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Vitin 2022 dhe vitin 2023, borxhin publik i planifikuar sipas juve e kalon nivelin prej 30% të bruto produktit vendor. A dihet mirë që në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, niveli i borxhit publik duhet të jetë si rezultat i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar deri në 30%”, tha ai.

“Nëse vazhdoni kështu me këtë borxh publik unë ju siguroj që keni mu mbajt mend si qeveri e borxhit”.

Ai ka thënë se fondet në të cilat keni planifikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk janë të sigurta sepse për to duhet të bëni fillimisht marrëveshje me FMN-n”, ka thënë ish Ministri i Financave, Hamza.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ministrin Hekuran Muratin, gjatë seancës parlamentare ku është duke u diskutuar për ri shikimin e buxhetit për vitin 2021.

“Pse jemi vonuar kaq shumë ministër, 4 muaj të plotë i keni në detyrë nga fundi i marsit deri më tani, në gjysmën e korrikut dhe tani vini me rishikim të buxhetit”, ka thënë Hoti.

Hoti gjatë seancës ka thënë se mund të ketë implikime buxhetore.

“Rishikimi ka supozuar që pandemia ka përfunduar edhe pse jemi larg arritjes së cakut të vaksinimit masiv të qytetarëve edhe kjo nënkupton që krejt parashikimet buxhetore mund të jenë të pasakta”.

“Vala tjetër e pandemisë mund të pritet ndoshta në gusht ose në shtator, në fakt edhe vet ministri i Shëndetësisë para disa dite e ngriti shqetësimin e tij që duhet të përgatitemi për një valë të re të pandemisë dhe kjo ka implikime buxhetore në përgjithësi”, tha ai.

Hoti është shprehur se asnjë nga premtimet elektorale nuk i përmbush programi i qeverisë.

“Duhet të thënë dhe kjo është e rëndësishme, buxheti nuk e reflekton asnjë nga premtimet elektorale të kësaj qeverie dhe programit të qeverisë”.

Ai ka përmendur edhe mirëmbajtën e rregullës fiskale.

“Një çështje që është ligjore që është obligim ligjor i qeverisë, i Ministrisë së Financave është mirëmbajtja e rregullës fiskale ne e dimë që e kemi tejkaluar rregullën fiskale vitin e kaluar për shkak të pandemisë, por tash ministri duhet të na tregojë qartë si do të kthehemi ne brenda rregullës fiskale këtë vit dhe vitin e ardhshëm në veçanti”, tha Hoti.

Shfuqizimet e memorandumeve në mes qeverisë dhe komunave i ka quajtur shkelje ligjore.

“Është gabim i madh, është shkelje ligjore, është mos respektimi ligjit shfuqizimi i memorandumeve me komunat. Ne gjatë punës që do të bëjmë në komision unë do t’i nxjerri një nga një projektet komunale të cilat janë shfuqizuar këto memorandume edhe praktikisht do të shohim efektin e vendimeve jo ligjore të plot ministrave sa i përket realizimit të këtyre projekteve”.

“Për të gjitha këto arsyeje ne e kemi të pamundur që të mbështesim këtë rishikim të buxhetit”, ka thënë Hoti.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, gjatë seancës ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri  Albin Kurti, për vonesën e rishikimit të buxhetit për vitin 2021.

“Ky rishikim nuk ka si të vjen në zbatim para shtatorit. Duke qenë se është kështu ne po hyjmë në ciklin tjetër, sepse ne duhet ta miratojmë buxhetin edhe për vitin 2022 me gjitha zotimet legjislativ që janë në planin të qeverisë dhe do të jetë shumë problem për zbatim”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka përmendur edhe investimet kapitale nëpër komuna duke kërkuar nga qeveria të e trajtoj këtë temë.

“Të ketë parasysh investimet kapitale, shkurtimi i projekteve kapitale  drejtpërdrejtë është problem shumë i madh i qarkullimit edhe të parës, mirëpo edhe i jetës më të mirë në komuna. Kërkoj nga ju edhe në këtë temë ta trajtoni”.

Tahiri gjatë seancës parlamentare ka pyetur qeverinë edhe për ligjin e pagave, shtesat për policinë.

Ndërsa Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati tutje është shprehur në replikat e tij me deputetët se synojnë një riorientim të shpenzimeve drejtë atyre sektorëve apo fushave që janë prekur më së shumti nga situata COVID-19, për të ruajtur shëndetin publik dhe kapacitetet prodhuese dhe konsumuese të ekonomisë sonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore