Kultura

Kosovë: Hapet ekspozita që dokumenton krimet e luftës


Më 24 dhjetor është  hapur ekpozita  për “Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë”.  Falë shkrepjeve fotografike të dy dekadave më parë, tanimë të gjithë kanë mundësinë të shohin vuajtjet, masakrat, krimet e vazhdueshme, genocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i pranishëm në hapjen e ekspozitës, tha kjo ekspozitë, pavarësisht se trazon një plagë ende të hapur, risjell  dëshmitë më të trishtueshme të mizorisë dhe terrorit  të  shtetit serb ndaj shqiptarëve. Njëkohësisht, kjo ekspozitë nxjerr në pah të vërtetën e Kosovës.

“Të kalosh dekada të tëra dhune e terrori sjellë trauma të papërballueshme, por populli ynë gjeti forcën ta vazhdojë ecjen drejt lirisë̈, për t’u ringritur nga hiri. E vërteta e Kosovës duhet t’i bëjë jehonë në botë të drejtës sonë. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë ta vendosim drejtësinë në vend – Drejtësi si satisfaksion për viktimat dhe thirrje për brezat, që të mos harrojnë”, përmbylli ai.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, tha  se “Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë.  Ende sot akoma, për fat të keq, janë më shumë se 1 mijë e 600 familje që kërkojnë të dinë për fatin e të dashurve të tyre”. 

I pranishëm në ekspozitë ishte dhe Alban Bujari,  fotografi i luftës që ka realizuar këto foto. 

Këto foto tregojnë për masakrat e Serbisë ndaj popullatës shqiptare civile në Kosovë, pohoi ai.

Ekspozita do të jetë e hapur për gjashtë  muaj, në hollin e Ministrisë së Drejtësisë. Më pas  fotot do të vendosen  në një nga institucionet e Republikës së Kosovës./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore