Lajme

Kosovë: Grevë njëorëshe në shkolla e kopshte


Ilustrim

Në të gjithë vendin, mësimdhënësit në Kosovë këtë të enjte do të hyjnë në grevë njëorëshe.

Kësaj radhe shkollave u janë bashkëngjitur edhe kopshtet.

Të dy palët për të njëjtin qëllim, duan ngritje page prej 100 euro deri në realizim të ligjit të pagave.

Kështu ka deklaruar Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, i cili ka shtuar se kjo grevë po bëhet në bashkërendim me BSPK-në.

Kopshtet do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.

Sipas Sindikatës, orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon atëherë nga SBASHK-u thonë se i qëndrojnë skenarit për të hyrë në grevë të përgjithshme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari kishte deklaruar për Albanian Post se për më shumë se tre javë nga takimi i fundit i kryetarit të BSPK-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ky i fundit nuk ka reflektuar, “nuk u pa asnjë lëvizje pozitive, asnjë takim përmbajtjesor dhe kjo na ka bërë që në mungesë të dialogut, në mungesë të gatishmërisë së qeverisë për t’u përgjigjur në kërkesat tona që të kemi një ngritje page prej 100 euro dhe jo vetëm për këtë muajin prill siç e kishim por ehe për muajt tjerë, deri sa të filloj të implementohet ligji i pagave”.

Dhe kërkesë kyqe e mësimdhënëse është “që të jemi të inkuadruar në ekipet që punojnë në ligjin e pagave në mënyrë që edhe ne ta themi mendimin tonë dhe ta mbrojmë versionin tonë që e kemi të argumentuar dhe që e kemi dërguar në MASHT”, thotë Jashari.

Por, greva e 12 majit nuk është masa sindikale e vetme që ka planifikuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Ne po përgatitemi edhe për 20 majin, ku do të jetë një protestë me pjesëmarrje masive nga të gjitha sindikatat në kuadër të BSPK-së”, tregon Jashari.

“Do të jetë sikur ajo protesta e 8 prillit që i kemi bërë qeverisë”, ka shpjeguar kryetari i SBASHK-ut, “por kjo protestë do të jetë me pjesëmarrje shumë më masive, krahasuar me atë të 8 prillit”.

“Kërkesat do të jenë të njëjta dhe do ti bëjmë publik edhe para Qeverisë me qëllimin më të madh që mbase kjo protestë masive të ndikoj që qeveria të ulet të bisedoj dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”.

Kryetari i SBASHK-ut thotë se të gjitha këto po i bëjnë për të bërë qeverinë të reflektoj pa pasur nevojë që të hyjnë në grevë të madhe.

“Të gjitha këto po i bëjmë me të vetmin qëllim që të mos shkohet ne grevën gjeneralë apo të përgjithshme për të dëmtuar procesin mësimor. Por edhe nëse greva e 12 majit dhe protesta e 20 majit nuk ndikon që qeveria të reflektoj dhe të ulet e të bisedojë, e të sjellë vendime për të realizuar kërkesat tona, atëherë kam frikë se sistemi arsimor po shkon drejt një greve gjenerale të cilën ne po presim që të mos ndodhë duke i dhënë hapësirë dialogut”.

“Por, kam frikë se jemi nisur drejt kësaj rruge dhe ky nuk është lajm i mirë”, ka paralajmëruar ai.

Jasharaj ka kërkuar prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe shkolla me një orë vonesë për hir të sigurisë së nxënësve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore