Lajme

Kosovë: Gjykata dënon Risto Jovanoviç me 6 mijë e 700 euro dhe ia ndalon hyrjen në Kosovë për 5 vjet


Risto Jovanoviç gjatë arrestimit nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Gazimestan

Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën shtetasi malazias, Risto Jovanoviq,i ka shqiptuar dënimin me gjobë në shumën prej 6 mijë e 700 euro dhe me mos hyrje në Kosovë për pesë vitet e ardhshme nga.

Ai është dënuar nën akuzën për “nxitje të urrejtjes dhe mos-tolerancës kombëtare dhe fetare”.

Këtë e ka konfirmuar avokatja e tij, Jovana Filipoviç për Radion Evropa e Lirë (RFE).

Avokatja Filipoviç ka thënë se klienti i saj ka pranuar të paguajë gjobën, meqë në rast të  mos-pagesës së saj ai do të dënohej me gjashtë muaj burgim efektiv.

Gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vlora Pacolli, në arsyetimin e vendimit të ndërmarr, ka thënë se Jovanoviç është dënuar pasi i njëjti është dëgjuar duke bërtitur “Vrite shiptarin”, “Ne do ta lajmë Kosovën me gjak” e “Kosova është Serbi”.

Termi pezhorativ ‘shiptar’ konsiderohet politikisht jo-korrekt dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për shqiptarët.

Ambasadori malazias në Kosovë, Mirsad Biboviç, ka qenë i pranishëm të mërkurën në seancës kur i është shqiptuar dënimi Jovanoviçit në Prishtinë.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinë seanca dëgjimore  kishte filluar në orën dhjetë të mërkurën.

Ai është arrestuar më 28 qershor në Gazimestan, gjatë shënimit të festës së Vidovdanit.

Jovanoviç ishte akuzuar nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, për veprën penale të “shkaktimit të urrejtjes dhe intolerancës”.

Në seancën e mëparshme të mbajtur të hënën i dënuari ishte shprehur i pafajshëm për veprat me të cilat akuzohej. Gjatë asaj seance janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë, të cilët, sipas avokates Jovana Filipoviç, nuk i konfirmuan pretendimet nga aktakuza.

Sidoqoftë, dëshmitarët e mbrojtjes nuk u dëgjuan, sepse thirrja iu dorëzua avokatit dhe jo dëshmitarëve në Podgoricë, kështu që, sipas Filipoviç-it, ata nuk u dëgjuan për shkak të mungesës së afateve të gjykatës.

Avokatja Filipoviç shpreson në një gjykim të drejtë dhe në pafajësinë e klientit të saj, pasi, siç thotë ajo, “nuk ka asnjë provë të vetme të një lloj fajësie të Jovanoviç-it”.

Ndërsa një numër serbësh në Kosovë, kishin mbajtur një protestë në Mitrovicën Veriore, si shprehje e shqetësimeve të tyre për arrestimin e Risto Jovanoviçit nga policia e Kosovës gjatë festës së Vidovdanit, pasi që ky i fundit ishte konfrontuar me policinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore