Lajme

Kosovë: Gjashtë vite nga vendimi i Kushtetueses për Asociacionin


Ilustrim

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese në Kosovë kishte marrë vendim në lidhje me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Para gjashte vitesh, kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje u dërgua në Kushtetuese nga presidentja e atëhershme e vendit, Atifete Jahjaga.

Në vendim thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendimin e GJK-së.

Kështu, Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“TE KONSTATOJË që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”.

Në vendimin e saj prej 39 faqesh që Gjykata Kushtetuese e publikoi (23.12) në faqen e vet zyrtare thuhet se Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përshkruar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre.

Prandaj Gjykata konstaton se akti juridik i Qeverisë së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t‘i plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri me kapitujt e saj”.

Kërkesën për interpretimin e kushtetutshmërisë së parimeve të marrëveshjes së 25 gushtit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e koshte bërë më 30 tetor të vitit 2015 Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo kërkesë pasoi pasi tri partitë politike opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, penguan mbajtjen e seancave të kuvendit, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshja me palën serbe, marrëveshje kjo që sipas opozitës është antikushtetuese.

Kuvendi i Kosovës, pas hedhjes së gazit lotsjellës nga Vetëvendosje

Me vendimin e së mërkurës (23.12) të Gjykatës Kushtetuese të nënshkruar nga kryetarja e kësaj Gjykate Arta Rama Hajrizi kishte përfunduar edhe pezullimi i përkohshëm i marrëveshjes për asociacionin.

Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese i lë dorë të lirë qeverisë së Kosovës që ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të parimeve të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga nga ana e saj, bëri të ditur se e ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në kërkesën e saj për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj në këtë linjë presidentja kërkon zbatimin e vendimit.

“Presidentja Jahjaga u kishte bërë thirrje të gjitha institucioneve dhe spektrit politik në Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhej në njoftimin e presidencës së Kosovës.

Presidentja më pas kishte ftuar partitë e koalicionit qeverisës dhe opozitën ta shfrytëzojnë këtë moment për të rinisur dialogun politik në Kosovë dhe për të rikthyer normalitetin në vend.

I menjëhershëm ishte reagimi i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Kjo parti siç thuhej në reagimin e saj e “mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së parimeve që përmban dokumenti i titulluar Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Konstatimi se Parimet e përgjithshme/elementet kryesore “nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 (Barazia para Ligjit) , paragrafi 1, me Kapitullin II (Të Drejtat dhe Liritë Themelore) dhe me Kapitullin III Të (Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre), është dëshmi e pamohueshme se Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet kështu siç është shkruar e zeza mbi të bardhë dhe çdo sugjerim apo kërkesë e Gjykatës Kushtetuese se si të procedohet më tutje me këtë marrëveshje, nuk mund të jetë në domenin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhej në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore