Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Fillon numërimi i votave të ardhura përmes postës


Në mëngjesin e së martës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka filluar me numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës nga data 2 deri me 12 shkurt.

“Janë 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime të cilat do të numërohen këtu në Qendrën e Numërimit e Rezultateve, numërimi i votave me kusht, i atyre me postë dhe përfundimi i disa procedurave tjera në QNR, shënojnë fazën përfundimtare para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u mbajtën më 14 shkurt”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për medie.

Ai shtoi se po punojnë maksimalisht që të përmbyllim procesin e numërimit edhe të këtyre fletëvotimeve.

Elezi nuk ka dhënë ndonjë kohë të caktuar se kur do të përfundojë i gjithë procesi i numërimit të fletëvotimeve, por beson se ju duhet “më shumë se një ditë kohë për ti numëruar ato”.

“Gjithsejtë janë 45 tavolina aktive për numërimin e tyre”, ka treguar Elezi.

Po ashtu ai ka sqaruar se menjëherë pasi të përfundojë procesi i numërimit të këtyre votave të ardhura përmes postës, dhe disa procedurave të QNR-së, atëherë “KQZ mund të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”

Me shpalljen e rezultateve përfundimtare të KQZ “nuk përmbyllet procesi zgjedhor pasi janë subjektet politike dhe kandidatët të cilët kanë të drejtë ti paraqesin ankesat e tyre në PZAP”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, këto ankesa duhet të paraqiten brenda 24 orëve nga momenti i shpalljes se rezultateve nga ana e KQZ-së.

“Ky institucion ka kohë më së shumti deri në tre ditë për të vendosur lidhur me  ankesat e paraqitura dhe nëse palët janë të pa kënaqura me vendimin e PZAP-it atëherë të njëjtat mund t’i drejtohen brenda 24 orëve, Gjykatës Supreme e cila po ashtu ka tre ditë kohë për të vendosur lidhur me ankesat në fjalë”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka përmbyllur të hënën në mesnatë numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore