Lajme

Kosovë: Asociacioni i Gazetarëve reagon pas intervistimit të gazetarit Parim Olluri


AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pasi policia në Kosovë ka intervistuar gazetarin Parim Ollurin, pasi media ku punon ai si drejtor Insajderi.org ka raportuar të premten se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka neglizhuar një kontratë për sjelljen e vaksinave të “Pfizerit” në Kosovë.

AGK-ja e kanë cilësuar të papranueshëm intervistimin e drejtorit të këtij mediumi.

“Për AGK-në është tërësisht i papranueshëm intervistimi i Parim Ollurit, Drejtor i Gazetës Insajderi.org me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, pasi që kjo në thelb është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve”.

AGK-ja u ka bërë thirrje organeve kompetente që të fillojnë procedura disiplinore ndaj policëve dhe prokurorëve të cilët kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, derisa u ka bërë thirrje të gjithë akterëve relevantë që të ndalin presionin dhe pengimin e ushtrimit të profesionit ndaj gazetarëve.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar në Facebook se “dështimi i Ministrisë në sigurimin e vaksinave nuk guxon të zëvendësohet me sulm e kërcënim ndaj mediave”.

Sipas tij “e vërteta është interesi i vetëm publik. Mediat kanë për detyrë të nxjerrin këtë të vërtetë pushteti – që i ka krejt – ka për obligim t’i gjejë vaksinat. Fjalë e arsyetime kemi pasur plot”.

“Punë s’po shohim dot. Kërcënimi s’është punë; e as që bën punë. Dobët, dobët shumë.1 muaj qeverisje. 293 kosovarë të vdekur. 0 vaksina. Kjo është e vërteta. Në këtë të vërtetë të dhimbshme duhet të fokusohet energjia e pushtetit”, ka shkruar Abdixhiku.

Për Partinë Demokratike të Kosovës “ky është sulm direkt ndaj demokracisë liberale dhe vlerave të saj”.

Zëdhënësi për media në Partinë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka thënë se hapja për hetim për “veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare”, është bërë me urdhrin politik të Arben Vitisë, ministrit të Shëndetësisë, dhe Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e ka ftuar Prokurorinë e Shtetit të veprojë dhe sipas tij “të mbrojë interesat e qytetarëve”, pasi e cilësoi si të pavërtetë lajmin e publikuar në media se e ka neglizhuar një kontratë për sjelljen e vaksinave të “Pfizerit” në Kosovë.

Megjithatë, ky organ i akuzës ka sqaruar se veprimet hetimore do të ndërmerren ndaj personave zyrtarë dhe jo ndaj mediave siç ka kërkuar Vitia të premten.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore