Kosova

Kosovë: Arrestohen 32 persona, në dy lokacione për organizim dhe luajtje të bixhozit


Ilustrim

32 persona ka arrestuar Policia e Kosovës, mbrëmjen e së enjtes, për kryerjen e veprës “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe për faktin se janë zënë duke luajtur Bixhozi.

Në qytetin e Pejës, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar A.S., F.H., B.Z., J.Q., F.P., Xh.K., B.U., B.K., S.K., M.Sh., nën dyshimin se u kapën duke luajtur bixhoz në një lokal në rrugën “Bill Klinton”.

Sipas policisë, arrestimi i të dyshuarve erdhi pasi Stacioni Policor në Pejë të enjten pranoi informacion rreth një aktiviteti të mundshëm joligjor, andaj ka zhvilluar një operacion policor lidhur me dyshimin se në Qendrën Zejtare në Pejë zhvilloheshin lojëra të jashtëligjshme – bixhozi dhe brenda lokalit kanë hasur në 10 të dyshuarit.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë konfiskuar prova materiale si para dhe gjësende të tjera.

Policia ka konfiskuar një armë zjarri të tipit CZ-100 me një karikator dhe 13 fishekë të kalibrit 9 mm.

“Të  dyshuarit janë arrestuar dhe janë intervistuar, është informuar Prokurori i Shtetit i cili  ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

 

Arrestohen edhe 22 persona për bixhoz të paligjshëm në Mitrovicë

22 persona të tjerë i ka arrestuar Policia e Kosovës mbrëmjen e së enjtes.

Në njoftimin zyrtar të organeve të rendit bëhet e ditur se në rrugën “Ukshin Kovaçica” në Mitrovicë, kanë vërejtur se brenda një lokali po zhvilloheshin veprimtari të kundërligjshme “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Në cilësi të provave janë gjetur dhe sekuestruar 782 mjete të ndryshme që shërbejnë për lojëra fati.

Në njoftim thuhet se mjetet e sekustruara do të shërbejnë si dëshmi materiale dhe janë proceduar në  rastin në fjalë.

“Lidhur me rastin në cilësi të të dyshuarve janë intervistuar personat të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, policia njofton se ndaj të dyshuarve është iniciuari rasti për dyshimin e kryerjes së veprës penale ’’Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe të njëjtëve u janë shqiptuar edhe gjoba për mosrespektim të masave kufizuese kundër pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore