Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Aprovohen 41 mijë fletëvotime nga diaspora, refuzohen 16 mijë


Nga 43 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime të ardhura nga diaspora, janë aprovuar rreth 41 mijë fletëvotime kurse 16 mijë janë refuzuar.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 34 mijë e 002 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 41 mijë e 280 zarfe me fletëvotime dhe 16 mijë e 288 zarfe të refuzuara”, ka thënë  për Albanian Post, zëdhënësi i komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi.

Ai ka thënë se arsyet e mos aprovimit të këtyre fletëvotimeve janë të ndryshme.

“ Shtatë mijë e 281 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë regjistruar si votues jashtë Kosovës, pesë mijë e 192 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore, një mijë e 126 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, dy mijë e 17 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar dhe 672 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jo valide për identifikim”, sqaroi Elezi.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri më tani janë rinumëruar 220 vendvotime ndërkaq edhe 40 të tjera janë në proces të rinumërimit.

Kështu është bërë e ditur nga sekretariati i KQZ-së, në mbledhjen e radhës.

“Sa i përket procesit të rinumërimit, deri tani janë rinumëruar 220 vendvotime ndërkaq janë 40 vendvotime që janë duke i rinumëruar, që i bie se janë rinumëruar dhe janë proces 52 mijë e 63 vendvotime”, ka thënë Burim Ahmetaj.

“Kemi shtuar kapacitetet dhe kemi një progres dhe rezultat pozitiv në aspektin e procesit të rinumërimit”, ka thënë ai.

KQZ është duke vazhduar me përmbushjen e detyrimeve ligjore me qëllim të përmbylljes së procesit zgjedhor.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendosur që të shkojnë në rinumërim edhe 58 vendvotime të tjera.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore