Sport

Kosovë: Agim Ademi dhe Bernard Challandes takohen, diskutojnë për të ardhmen


Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, po qëndron në Kosovë, me ftesën e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për të diskutuar për nevojën e koordinimit sa më të mirë në ekipin kombëtar.

Ademi tha se është i vetëdijshëm se ka kohë që ekipi kombëtar nuk ka qenë i kompletuar dhe se në dy ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues.

“Luajtëm me dy kombëtare të forta, por se tanimë duhet gjetur mundësi e hapësira për t’u kthyer forma e rezultateve dhe për t’u zëvendësuar secili lojtar që mungon”.

Ai gjithashtu theksoi se për të, për KE-në dhe opinionin në tërësi, ekipi kombëtar është i shenjtë, prandaj duhet që të gjithë të japin maksimumin për të kthyer formën dhe rezultatet pozitive, me të cilat ishte krenar i gjithë populli ynë.

Tutje, ai, ritheksoi se FFK edhe në të ardhmen do t’ia krijojë të gjitha kushtet e nevojshme ekipit kombëtar, por ka kërkuar që edhe përkushtimi i futbollistëve, trajnerëve dhe i gjithë stafit të jetë maksimal, ngase përfaqësimi i vendit është diçka e shenjtë.

Ai u shpreh se është shumë i interesuar që Kombëtarja t’u rikthehet rezultateve pozitive, ngase e di se ka potencial brenda saj.

Ata bashkëbiseduan edhe për ndeshjet e ardhshme miqësore në qershor dhe ato të radhës kualifikuese, duke u zotuar se do të bëjnë më të mirën e mundshme, teksa ishin në një zë në faktin se në futboll janë rezultatet ato që vlerësojnë punën e gjithsecilit.

Gjithashtu edhe përzgjedhësi Challandes premtoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe do të mundohet të bëjë më të mirën për Kosovën.

Presidenti Ademi po ashtu ka diskutuar edhe me përgjegjësinë e Kombëtares nga KE, Bakir Burri, drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxherin Bajram Shala, me ç‘rast kërkoi rregullsi dhe përkushtim nga secili pjesëtar i ekipit Kombëtar.

Ai theksoi se të gjithë do ta kenë përkrahjen e tij dhe të KE-së, përfshirë futbollistët, trajnerët dhe stafin, në mënyrë që të rikthehet sa më parë gjendja reale e rezultateve në kombëtaren tonë.

Po ashtu, presidenti Ademi nënvizoi se do të mundohen të aranzhojnë sa më shumë ndeshje kontrolluese, të cilat do të ndihmonin që t’u jepet hapësirë sa më shumë futbollistëve për ta dëshmuar potencialin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore